Pasoja simetrike nga bllokimet
Dy shtetet shqiptare, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, vuajnë nga e njëjta gjë, por për çështje të ndryshme.
Dihet që Kosova, për të mbrojtur integritetin territorial dhe zbatuar ligjin brenda kufijve të vet shtetërorë, pas një durimi proverbial, qe e detyruar të ndërmerrte, më 25 gusht, vënien nën kontroll të dy pikave doganore në veri të Mitrovicës, në kufi me Serbinë, Jarinjën dhe Bernjakun. Qysh atë ditë, e më pas, serbët kanë ndërmarrë një bllokim të gjithëfarsojshëm, me trungje përkryq rrugëve, kodra zhavorri hedhur mbi to dhe dhunë të marrë ndaj KFOR-it, duke shpërfillur qeverinë, thirrjet e OKB-së, SHBA dhe Bashkimit Europian. Në veri zbresin pandërprerë misionarë të Beogradi, që përfaqësojnë zyrtarë të lartë, të cilët shpallen me deklarata nxitëse për bllokim. Sipas mediave, edhe takimi që sekretarja e Departamentit të Shtetit të SHBA, Hilari Klinton ka zhvilluar me presidentin serb Boris Tadiç, në Nju Jork, është quajtur prej saj një bisedë “bosh”, sepse properëndimori Tadiç, i paska folur SHBA-së, në mënyrën më të vjetër të njohur.
Beogradi, mbajtjen e veriut pjesë të territorit serb, synon ta arrijë përmes politikës së bllokimit. Qeveria e Kosovës, KFOR, EULEX, Brukseli dhe Uashingtoni kanë bërë thirrje të prerë: të hiqet bllokimi absurd. Kjo politikë ka çuar deri në një tendosje serioze, aq sa Serbisë mund t’i ndodhin të dyja: KFOR t’i heq bllokimet me forcë dhe Serbia të ndëshkohet me mosdhënien e statusit të vendit kandidt për në BE, nga që ajo nuk përmbush një nga kriteret e domosdoshme - sjelljen e mirë ndaj Kosovës fqinjë.
Dihet prej të gjithëve se, qysh prej dy vitesh Shqipëria lëngon nga bllokimi absurd i opozitës. Nën parrullën “Të hapen kutitë”, Partia Socialiste zbatoi bllokimin e Kuvendit me bojkot dhe ndërmori protesta, deri të dhunshme, që të mposhtnin pozitën, fituese të zgjedhjeve të vitit 2009, për të dështuar qeverinë në çështje madhore: antarësimin në NATO, heqjen e vizave dhe mos zhytjen e vendit në recension, pavarësisht përkeqësimit të klimës ndaj faktorëve zhvillues, të vendit tonë të vogël pranë vendeve të mëdha, të përfshira në krizë ekonomike të rëndë, në krye të të cilave gjendet Greqia fqinjë. Asnjëra prej të triave nuk u pengua dot. Ajo që dështoi qe opozita, e cila u ndëshkua në zgjedhjet e 8 majit, edhe për këtë sjellje politike ndaj tri arritjeve të mëdha të shqiptarëve. Bllokimi me bojkot, që nuk e nxori në qafë të malit, por prej atje kritikat i ranë përsipër nga të gjitha krahët, edhe nga ndërkombëtarët që u shpërfillën prej saj, edhe nga vet brenda partisë, Partia Socialiste u riciklua në një përsëritje të pritshme, me “shtatorin e dytë opozitar”. Shtatori i parë, më 2009, pati bojkotin si strategji bllokuese nga jashtë Kuvendit, me alibinë lodhëse “Të hapen kutitë”. Shtatori i dytë, më 2011 leu me bojë fasadën dhe mbi të u shkrua po ajo strategji , me emërtimin “Kursi i ri” dhe “10 pikat”, për bllokimin e Shqipërisë nga brenda Kuvendit, që të mos mund të hedhet hapi i rëndësishëm drejt statusit të vendit kandidat për në BE. Nga që opozita përfshihet domosdoshmërisht me votën e saj në këtë proces madhor për vendin, bllokimin si lojë politike, ajo po e mban si një AS në dorën e vet, për ta kthyer me patjetër në kusht ndaj pozitës dhe qeverisë, sipas qëndrimit të pandryshuar: zgjidhni e merrni, ose integrimin, ose pushtetin. Kush nuk e lexon kështu politikën që bëhet prej opozitës, ai ose nuk di të lexojë, ose nuk don ta lexojë. Askush nuk mund të besojë se Mali i Zi, shtet shumë më i vogël se Shqipëria, zotëron kapacitete më të mëdha për të bërë hapa të shpejtë e domethënës në afrimin e vet me Bashkimin Europian. Jo, por atje nuk ka faktor bllokues, as si në Veri të Mitrovicës, as si në Kuvendin e Shqipërisë.
Dy bllokimet e zgjatura, në të dy shtetet shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk përqasen si përngjasime të kërkuara me zor, por të dy shtetet vuajnë pasoja simetrike të njëkohshme nga bllokimi: Kosova për cënim të integritetit shtetëror, Shqipëria për pengim të integrimit europian. Nëse duhet vështruar ndonjë shembull i kundërt, për ardhje në vete, le ta sjellim, të gjetur pak më tutje: Bundestagu gjerman, për të shpëtuar Bashkimin Europian si interes madhor, votoi shumë kolosale për stabilizimin financiar, që të mos dëshojë BE-ja, që të mos falimentojë Greqia si shtet themelues. Opozita jonë, nga katër gjëra të mëdha, vetëm njërën pati në dorë – statusin. Ajo, në nënvetdijen e fshehur të saj, ndjehet edhe më mirë që, me alternimin politik Bojkot – Bllokim, statusi nuk do të merret as herën e dytë. Por ndalimi kurrësesi si nuk vlen si politikë ndaj vendit, sepse ai përbën një politikë të paaftë për vizion dhe është shprehje e dëshpërimit të pakrye. Me ekuacionin Ndalim - Dëshpërim as nuk merret pushteti, as nuk mund të ndalet integrimi.