E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB kërkon realizimin e reformave në Afganistan

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i bëri thirrje qeverisë afgane që të realizojë i papenguar reformat e premtuara politike. KS i OKB-së sqaroi në New York se pret që qeveria në Kabul, sa më shpejt që të jetë e mundur, të veprojë me ashpërsi kundër korrupsionit dhe të përkujdeset për një zhvillim më të hovshëm ekonomik.

15 vendet anëtare të Këshillit e quajtën si një "kthesë epokale" konferencën e fundit për të ardhmen e Afganistanit që zhvilloi punimet në Kabul.

Më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, e kishte informuar Këshillin për rrjedhën e konferencës.

Në Kabul më shumë se 60 shtete pjesëmarrëse kanë miratuar propozimin e presidentit afgan Hamid Karzai që deri në vitin 2014 policët dhe ushtarët afganë të marrin përsipër përgjegjësinë për sigurinë në vend.

Në anën tjetër, koalicioni i udhëhequr nga NATO-ja në Afganistan, ka njoftuar se nga një sulm me bombë në pjesën jugore të Afganistanit, janë vrarë katër ushtarë ndërkombëtarë.

Në njoftim nuk jepet kombësia e të vrarëve nga shpërthimi, që ndodhi dje, por zyrtarë në SHBA kanë konfirmuar se ata ishin amerikanë.

Raportohet se me këto vrasje, numri i ushtarëve ndërkombëtarë të vrarë në Afganistan, këtë muaj, arriti në 69.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›