E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB miraton me 77 vota pro nismën serbe për Kosovën

Vendet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së kanë miratuar me 77 vota pro, 6 vota kundër dhe 74 vota abstenim, nismën serbe për Kosovën. Në këtë mënyrë OKB i jep të drejtën Serbisë për të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mendimin mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. 

NEW YORK - Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e miratoi rezolutën e paraqitur nga Serbia për të kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Projektrezoluta serbe ka kaluar me 77 vota pro, 6 vota kundër dhe 74 vota abstenime.
Vendet anëtare të OKB-së votuan në orët e pasdites nismën serbe pasi dëgjuan edhe një herë deklaratën e diplomatit serb Vuk Jeremiç. Ai ka kërkuar vendeve anëtare të OKB-së të votojnë pro kërkesës serbe. Në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Jeremiç tha se vota kundër kësaj nisme, do të ishte votë që i heq të drejtën secilit shtet në të ardhmen që të kërkojë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, përmes sistemit të OKB-së. Kundër kërkesës në OKB mësohet të jenë shprehur përfaqësuesit e SHBA, Britanisë së Madhe dhe Turqisë. Përfaqësuesja e SHBA-së në OKB Rosemary Di Carlo para se të fillonte procesi i votimit ka shprehur se do të votojë kundër nismës serbe. Ndërsa, në fjalimet e tyre Britania e Madhe e Turqia janë deklaruar për abstenim. Ndër shtetet fqinje, Mali i Zi ka deklaruar se do votojë pro Serbisë, ndërsa Maqedonia do abstenojë. Po kështu edhe 27 vendet anëtare të BE-së, deklaruan para procesit të votimit se do të abstenonin kërkesën serbe.

Aktualisht nisma serbe ka marrë votat e mjaftueshme për të kërkuar një mendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të shprehur mendimin mbi ligjshmërinë e Kosovës. Në këtë mënyrë kanë dështuar thirrjet e liderëve të Kosovës nga Prishtina për të kundërshtuar nismën e shtetit serb me pretendimin se pavarësia e Kosovës tashmë është një realitet i pakthyeshëm.
(a.s/Balkanweb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›