E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB nuk heton Dik Martin Po i zhvillon EULEX

Serbia i kërkon Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të zhvillojë hetime të pavarura mbi akuzat për trafikim organesh ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëpunëtorëve të tij. Në seancën e Kombeve të Bashkuara mbi situatën në Kosovë, megjithatë ambasadorët e shteteve perëndimore e kanë hedhur poshtë këtë kërkesë, duke thënë se misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe sundimin e ligjit, EULEKS, në Kosovë, që tashmë i ka filluar hetimet preliminare lidhur me këto akuza, mund ta hetojë këtë çështje.

“EULEKSi- e ka juridiksionin dhe mandatin që të merret me krime të luftës. Është marrë me çështje të ngjashme në të kaluarën dhe do ta ketë peshën e plotë të Bashkimit Evropian dhe të partnerëve të tij për ta mbështeturë këtë. Ne e përshëndesim mbështetjen e deklaruar nga qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë për hetim të këtillë. Ne nuk besojmë se një mekanizëm ad-hok i Kombeve të Bashkuara, është i domosdoshëm  në dritën e mandatit të Bashkimit Evropian”, tha Rosemary DiCarlo, e dërguara e Shteteve të Bashkuara.

Ambasadorët e Britanisë dhe të Gjermanisë shprehën qëndrime të ngjashme me ato të Shteteve të Bashkuara, por kërkesa e Serbisë është mbështetur nga Rusia.  Për ministrin e jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, zgjidhja për këtë çështje është krijimi i një mekanizmi ad-hok të krijuar nga OKB-ja.

“Është pozicion i Republikës së Serbisë, se zgjidhja qëndron në ndërtimin e një mekanizmi hetues ad-hok, të krijuar dhe që i përgjigjet Këshillit të Sigurimit. Sic ka qenë edhe në rastet e mëparshme, që përfshinin krimet e luftës në Ballkan, pavarësisht se cilës palë i takojnë shkelësit e pavarësisht nga roli i tyre politik. Vetëm përmes  veprimit konkret të Këshillit të Sigurimit, mund të parandalohet krijimi i perceptimit për stadnarde të dyfishta në administratën e drejtësisë ndërkombëtare”, tha Vuk Jeremic, Ministër i Jashtëm i Serbisë.

Në fjalimin e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesja e Kosovës, Vlora Çitaku, deklaroi se raporti i Dik Martit, “deri tani nuk ka sjellë asnjë provë”.

“Duke i dhënë udhë imagjinatës, por duke mos sjellë ndonjë provë, raporti i Martit pretendon se zyrtarët e lartë të NATO-s, të vendeve të Bashkimit Evropian, dhe të Shteteve të Bashkuara, kanë pasur dijeni për këtë dhe e kanë toleruar këtë keqbërje të dyshuar. Qeveria e Kosovës në mënyrë të qartë dhe të ashpër i ka hedhur poshtë akuzat e tilla në raportin e Martit. Përtej lëndimit të thellë të ndjenjave të kosovarve, raporti në të njëjtën kohë, për fat të keq, ka dëmtuar edhe reputacionin tonë ndërkombëtar”, u shpreh Vlora Çitaku, Ministre e jashtme e Kosovës. Në seancën, që përfundoi mbrëmë vonë, ambasadorë të vendeve të ndryshme, i uruan Kosovës, trevjetorin e pavarësisë.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›