E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB,racizmi,BE kërcënon me tërheqje nëse nuk ndryshohet teksti i deklaratës

Bashkimi Europian ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga pjesëmarrja në një konferencë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi racizmin muajin e ardhshëm, nëse nuk ndryshohej teksti i deklaratës përfundimtare të konferencës, duke iu bashkuar kështu disa shteteve të tjera që kanë shprehur shqetësimin se takimi mund të shndërrohej në një forum të antisemitizmit. Izraeli dhe Kanadaja kanë shpallur tashmë tërheqjen nga Konferenca Botërore kundër Racizmit, që pritet të mbahet më 20-24 prill në Gjenevë, duke deklaruar se vendet arabe mund të shfrytëzonin këtë rast për t'iu kundërvënë Izraelit. SHBA-ja dhe Australia kanë paralajmëruar gjithashtu se po shqyrtojnë mundësinë e bojkotimit të konferencës. "Përfaqësuesit kryesorë europianë ishin shumë skepikë ndaj formulimit të deklaratës përfundimtare të konferencës", tha ministri i Jashtëm çek, Karel Shvarcenberg pas një diskutimi të ministrave të Jashtëm të BE-së lidhur me konferencën e Gjenevës. "Ndoshta ne do të dërgojmë sugjerimet e BE-së dhe nëse dokumentat e konferencës janë në të njëjtën linjë ne do të qëndrojmë, përndryshe kjo është një thirrje e fuqishme për bojkot", shtoi Shvarcenberg, i cili kryesoi takimin e diplomatëve të bllokut 27-anëtarësh. "Një pjesë e formulimit të tekstit të deklaratës së konferencës konsiderohet si antisemite", u shpreh një diplomat tjetër europian. Vendet perëndimore, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë përcaktuar çështjet e lirisë së fjalës dhe antisemitizmin si ndër vijat e kuqe për pjesëmarrjen në takimin ndërkombëtar të njohur si "Durban II".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›