OLIMPIADA E MYNIHUT, (1972), NE KUJTIMET E MIA
Sot, kur në Londër nisin Lojërat e 30-ta Olimpike, po botojmë këto kujtime të shkrimtarit dhe komentatorit sportiv Skifter Këlliçi rreth olimpiadës së mësipërme me një histori të çuditshme dhe trishtë.
Skifter Këlliçi
Ndoshta një pjesë e atyre që lexojnë këtë shkrim,mund të pandehim se unë kam qenë i pranishëm në Lojërat e 20-ta 0limpike, të zhvilluara nga 26 gushti deri më 11 shtator i vitit 1972 në Mynih, (Republika Federale Gjermane, siç quhej atëherë), dhe po shkruaj rreth tyre.
Nuk është plotësisht kështu. Me fjalë të tjera nuk është se unë i kam parë me sy veprimtaritë e këtyre lojërave, ashtu siç ka ndodhur, për shembull, me kolegun tim të paharruar, Anton Mazrekun, që 76 vjet më parë, pikërisht në verë të vitit 1936, ka qenë pjesëtar i një delegacioni sportiv që mori pjesë në këto lojëra të zhvilluara në Berlin, i ftuar nga Komiteti Olimpik i Gjermanisë.
Përshtypjet e tij rreth këtyre lojërave Anton Mazreku i pati botuar atëherë në faqet e gazetës Sporti Shqiptar, të themeluar prej tij. Kurse unë këto radhë po i shkruaj duke u bazuar në kujtimet dhe mbresat e mia 40 vjet pas zhvillimit të këtyre lojërave gjatë komenteve që kam bërë rreth zhvillimit të Olimpiadës së Mynihut, por i ngujuar për dy javë në njërën prej studiove të Televizionit Shqiptar.
Së pari, duhet tu kujtoj lexuesve se më 26 prill të vitit 1972 TVSH-ja nisi një epokë te re: transmetimin në shqip të veprimtarive sportive ndërkombëtare, kryesisht të futbollit,që ngjallën një interesim të paparë, sidomos në qytete e vise të Shqipërisë ku nuk arrinin valët e RAI-t, pra Radiotelevizionit italian.
Kjo nismë, siç më thoshte atëherë Todi Lubonja, drejtori i përgjithshëm i RTVSH-së, gjeti edhe miratimin nga udhëheqja e Partisë. Dhe ai kishte parasysh në radhë të parë Ramiz Alinë, që ishte shefi i Propagandës në Byronë Politike, me fjalë të tjera Gëbelsi i Enver Hoxhës dhe për më tepër ishte dhe shok i Todit që në fëmijëri.
I nisur nga kjo klimë më se e përshtatshme, një ditë maji të atij viti i kujtova Todi Lubonjës se pas disa muajsh në Myhin do të zhvilloheshin lojërat olimpike, të cilat nuk do të ishte keq që të transmetoheshin edhe nga TVSH-ja.
U mendua një copë here, por nuk mu përgjigj. Nuk ia rikujtova, duke gjykuar se ky propozim imi nuk kishte gjetur mbështetje nga lart, pra në radhë të parë nga Ramiz Alia.
Mirëpo nuk paskej qenë kështu. Një mëngjes fund korriku, kur po merresha me një emision artistik televiziv për redaksinë e kulturës, ku punoja, më njoftuan se më kërkonte urgjentisht Todi Lubonja. Shkova shpejt në zyrën e tij.
Pa humbur kohë, zuri ri të më tregonte se një ditë më parë në korridoret e Komitetit Qendror të Partisë, anëtar i të cilit ishte që më 1956, befas ishte takuar me Enver Hoxhën, që e kishte përgëzuar, veç të tjerash, për transmetimin e këngëve të Festivalit Evropian në Radio Tirana, për disa emisione të tjera televizive, si dhe për transmetimet e ndeshjeve sportive nga televizionet e huaja, kryesisht nga RAI.
-E falenderova, -vazhdoi Todi, -dhe përfitova nga rasti, ti përmendja propozimin tënd për transmetimin e Lojërave Olimpike të Mynihut. E mirëpriti. Ndaj përgatitu për komentet që do të bësh, ashtu siç bën për komentet e ndeshjeve të futbollit.
Dola nga zyra e drejtorit të përgjithshëm edhe i gëzuar, por edhe i shqetësuar. Vërtet në pranverë të atij viti kisha qenë unë që i kisha propozuar drejtorit të përgjithshëm të transmetoheshin veprimtari sportive nga televizione të huaja dhe pastaj transmetimin edhe të kësaj ngjarjeve të madhe sportive me përmasa botërore.
Mirëpo në këtë rast nuk ishte fjala për ndeshje futbolli, ose për veprimtari të ndonjë sporti që kisha komentuar deri atëherë,si atletika, por për 23 lloje sporti, një pjesë të të cilave nuk i njihja fare, ose i njihja fare pak, si hipizmi, vozitja, qitja, hokei mbi bar, badmingtoni që përfshinin 145 gara!
Mbi të gjitha ishin sporte që nuk i njihnin as sportdashësit tanë, sepse nuk zhvilloheshin në Shqipëri, ndaj gjatë transmetimit të tyre duhej tu kumtoja atyre të paktën disa njohuri.
Nuk ia shpreha shqetësimin tim as Todi Lubonjës, as miqve të mi, sepse ata kishin një besim të verbër se unë dija në sport dija gjithçka Por, ama, që të nesërmen fillova përgatitjen. Ashtu si dikur për provimet e shtetit në gjimnaz, a universitet, madje edhe me me shumë këmbëngulje u zhyta në studime, sepse në fakt edhe në këtë rast do të ndodhesha para një provimi, madje më të madh, para mijëra e mijëra a sportdashësve në tërë vendin tonë. Bile, siç mora vesh edhe më pas, edhe të sportdashësve kosovarë që donin që edhe ndeshjet sportive ti dëgjonin shqip dhe jo serbo-kroatisht, të cilët sytë dhe veshët do ti kishin të drejtuara nga unë…
Dija që në Bibliotekën Kombëtare ishte në rusisht libri Enciklopedia Olimpike ku përfshihej historia e lojërave olimpike antike dhe për më tepër moderne, nga olimpiada e parë në Athinë në vitin 1896 e deri në lojëra 19-ta, pra të fundit, të vitit 1968 në Meksiko. Për më tepër edhe njohuri rreth sporteve olimpike dhe mbi të gjitha rezultatet e 6 sportistëve më të mirë në të gjitha garat e të gjitha sporteve Me një fjalë, një thesar i vërtetë.
Këtij libri i shtohej edhe një libër me tre vëllime në italisht, me titull Historia e sporteve, e autorit të njohur italian Stefano Iakomuci, botuar më 1965, i cili edhe ai, për fat më mirë ndodhej në Bibliotekën Kombëtare. Por, sidoqoftë, më duheshin informacione edhe më të freskëta, bile mundësisht të ditëve në prag të zhvillimit të olimpiadës që fillonte më 26 gusht të atij viti.
Në ndihmë më erdhi gazeta e përditshme Sovjetski Sport, që vinte me pak vonesë nga Moska, nëpërmjet Budapestit, sepse, siç dihet, qysh nga viti 1961 Shqipëria nuk kishte asnjë lloj marrëdhëniesh me Bashkimin Sovjetik.
Më erdhi në ndihmë edhe revista Atletika e lehtë, po në rusisht, pikërisht për këtë sport që jo më kot quhet mbretëresha e olimpiadave, ku gjeta të dhëna dhe kuriozitete për atletët më të mirë që mendohej të ishin protagonistët kryesorë në këtë olimpiadë.
Më erdhën në ndihmë edhe lajme sportive të marra nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, te cilat mi gjeti dhe përzgjodhi Napoelon Roshi, gazetar dhe publicist i shquar edhe në fushën e sportit, i cili, për fat të keq, nuk është më midis nesh. Kështu pra, i armatosur kë këto njohuri dhe të dhëna informative, u përgatita për të përballuar me sukses këtë provim. Por kisha përpara edhe një provim tjetër. Dhe jo aq të lehtë: porosia nga Lart ishte që gjatë transmetimit të mbuloja ndonjë shprehje të komentatorëve italianë që shkonte nesh me ideologjinë tonë. Një djall e di se çdo të ndodhte sikur ndonjë shprehje e tillë, mos o zot, të më shkiste edhe mua nga goja ose, për më keq, nga goja e bashkëpunëtorëve të cilët kisha menduar që do të merrnin pjesë në këtë sipërmarrje, në këto kushte, me plot gojë e vështirë.
Nga lart u dha edhe një porosi që sot tingëllon shumë qesharake: gjatë ceremonisë së përurimit të olimpiadës nuk do te lejohej që në ekran të dukeshin pamje të delegacioneve sportive të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, thua se sportistët e tyre të ishin armiqtë më të mëdhenj të Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës.
Jo vetëm kaq: nuk do të paraqiteshin në ekran as pamjet e ceremonisë së dhënies së medaljeve të arta sportistëve të vendeve të mësipërme, aq më tepër që shoqëroheshin me himnet e tyre. Këto pamje do të mbuloheshin me një pllakë kartoni ku shkruhej Lojërat Olimpike, Mynih, 1972.
Ske çthua: syçeltësi për tu pasur zili ndaj përfaqësuesve të SHBA-së dhe B. Sovjetik, armiqve më të egër të popujve të botës. Meqë transmetimi do të merrej nga kanalet e RAI-t, hartova me këtë rast një listë më emra kolegësh që njihnin