E Diel, 1 Nëntor 2026

Konvikti i Gjuhëve të Huaja, Kule merr firmat e 10 rektorëve

Debati për çështjen e konviktit të Gjuhëve të Huaja këtë herë ka mbledhur së bashku rektorët e 11 universiteteve publike të vendit. Me anë të një deklarate për mediat, të gjitha universitetet publike në vend kanë dalë në mbështetje të kërkesës së Universitetit të Tiranës për marrjen në përdorim të godinës së konviktit të Gjuhëve të Huaja nga ky universitet.
Deklarata
Rektorët e 11 universiteteve publike firmosën dje deklaratën e përbashkët përmes së cilës kërkojnë që ky objekt ti jepet Universitetit të Tiranës duke theksuar nevojën urgjente që kanë universitetet publike për hapësira të reja. Në deklaratë rektorët kërkojnë nga shteti më shumë vëmendje sa i përket shtimit të ambienteve mësimore duke e përshtatur këtë me ritmin e rritjes së numrit të studentëve në universitete. Sipas tyre përmirësimi i infrastrukturës do të ndihmonte në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në vend.
Pezullimi
Deklarata e rektorëve vjen pasi Drejtoria e Antikorrupsionit pezulloi procedurat për dhënien me qira të godinës së konviktit pasi në to u evidentuan disa parregullsi. Parregullsitë lidheshin me largimin e njërit prej anëtarëve të komisionit ditën e zhvillimit të procedurave të tenderimit dhe zëvendësimit të tij nga ministri i larguar i Ekonomisë, Nasip Naço, në ditën e tij të fundit të qëndrimit në dikaster. Legjislacioni sqaron se largimet dhe zëvendësimet nuk mund të bëhen brenda ditës, në një proces tenderimi.
Tenderi
Po ashtu subjektet pjesëmarrëse në tender kanë cituar ligjin duke argumentuar se firma e ministrit Naço rezulton të jetë ligjërisht e pavlefshme, për shkak se dikasteri ishte në pritje të ministrit të ri të dekretuar edhe nga Presidenti i Republikës. Tenderi për dhënien me qira të konviktit të gjuhëve të huaja nisi të kryhej pas kërkesës së universitetit privat Luarasi për zotërimin e këtyre ambienteve.

Firmosin 11 rektorët e Universiteteve Publike
Prof. Dhori Kule, Rektor i UT
Akad. Jorgaq Kaçani, Rektor i UPT
Prof. Fatos Harizaj, Rektor i UBT
Prof. Petrit Malaj, Rektor i UA
Prof. Artan Haxhi, Rektor i Univ. L.Gurakuqi
Prof. Liman Varoshi, Rektor i Univ. A.Xhuvani
Prof. Gjergji Mero, Rektor i Univ. F.S.Noli
Prof. Albert Qarri, Rektor i Univ. I.Qemali
Prof. Mithat Mema, Rektor i Univ. A.Moisiu
Prof. Gëzim Sala, Rektor i Univ. E.Çabej
Prof. Vesel Rizvanolli, Rektor i Univ.të Sporteve

Bashkia-ALUIZNI: Firmat e ndërtimit
po bllokojnë legalizimin
Mbi 70 firma ndërtimi në kryeqytet po tregohen indiferente ndaj procesit të legalizimit dhe hipotekimit të objekteve të ndërtuara pa leje. Bashkia e Tiranës dhe Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZN-it kanë zhvillura dje një takim, ku kanë publikuar edhe listën e zezë me 76 firma të ndërtimit që nuk legalizojnë ndërtimet. Nënkryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku dhe drejtori i ALUIZN-it, Ardian Kollozi, u bënë thirrje kompanive të mos pengojnë procesin. Në 244 objekte të ndërtuara në Tiranë ka probleme nga më të ndryshmet duke filluar nga subjektet që nuk paguajnë taksat e detyrimet e nevojshme që përcakton legjislacioni deri tek ato subjekte, që janë pasive, ku nuk kanë plotësuar dokumentet tekniko-ligjore. Ekzistojnë të paktën 76 subjekte që janë pasive dhe nuk kanë shfaqur interes për të përfunduar këtë proces, deklaroi Tabaku. Disa firma ndërtimi kanë zvarritur procesin e plotësimit të dosjeve dhe paraqitjes së tyre në Bashkinë e Tiranës, të tjera nuk kanë bërë pagesat që detyron ligji. Është ngritur një njësi e përbashkët, e cila gjatë gjithë këtyre javëve ka bashkërenduar punën me qëllim që Agjencia e Legalizimit të marrë, të vjelë nga dosjet e subjekteve që kanë aplikuar pranë Bashkisë së Tiranës gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor, me qëllim për tiu shërbyer maksimalisht atyre, deklaroi Kollozi. Bashkia e Tiranës prej një viti e gjysmë ka punuar për zbardhjen e objekteve të ndërtuara pa leje në kryeqytet, mes tyre edhe shtesave të kateve. Janë konstatuar afro 450 objekte pa leje, gjysma e të cilave i është nënshtruar procesit. Pasiviteti i firmave për të ligjëruar ndërtimet, penalizon qytetarët.

Invalidët: Qeveria po na diskriminon,
nuk indeksoi pagesat tona
Këshilli  Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuara  ka akuzuar qeverinë shqiptare për diskriminim ndaj tyre pasi prej disa muajsh ata nuk përfitojnë kompensimet e përcaktuara me ligj. Sinan Tafaj, kreu i Këshillit denoncon mos/indeksimin e inflacionit të pagesës së aftësisë së kufizuar. Qeveria në fillim të korrikut bëri rritjen e pensioneve, pagave, përfshirë edhe pagën minimale, por nuk indeksoi pagesën për shkak të aftësisë së kufizuar. Në gjykimin tonë kjo përbën një diskriminim që ushtrohet mbi grupin e personave me aftësi të kufizuara. Kjo është një mungesë përgjegjshmërie sistematike, kryesisht e ministrit të Punës, thotë Sinan Tafaj, kryetar i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara. Paraplegjikë e të verbër paguajnë të plota faturat e energjisë elektrike, telefonisë e të tjera shërbime, ndërkohë që tashmë është përcaktuar edhe masa e kompensimit që sipas Tafajt është reduktuar. Vendimi që është marrë dhe që akoma nuk ka hyrë në fuqi është një kufizim i jashtëzakonshëm i përfitimeve që ne kemi pasur, pra përfytyroni nëse ne deri në hyrjen në fuqi të ndryshimeve më 29 prill kemi pasur përfitimin për telefonin 20 mijë lekë të vjetra, ky përfitim është përgjysmuar në 10 mijë lek dhe 10 mijë lekët e telefonit kanë kaluar tek dritat dhe rimbursimi për dritat do të jetë 20 mijë lekë, sqaron zoti Tafaj. Personat me aftësi të kufizuara thonë se do të vazhdojnë protestat e tyre dhe se kanë vënë në dijeni të gjitha institucionet ndërkombëtare, për të gjitha llojet e diskriminimit që po iu bëhen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›