Tre sekondat më të famshme të historisë së basketbollit botëror
Nga Skifter Këlliçi
Ja çndodhi 40 vjet më parë gjatë ndeshjes finale në basketboll SHBA-B. Sovjetik në Olimpiadën e Mynihut të vitit 1972
Në jetën time 40-vjeçare si komentator sportiv në RTVSH-së, (1959-1999), më kanë mbetur të pashlyera në mendje ngjarje vërtet dramatike, një pjesë të cilave i kam hedhur në letër dhe i kam botuar në shtyp, madje edhe në libra.
Ndër to do të përmendja ndeshjen e dytë finale të kampionatit të futbollit në fillim të korrikut të viti 1961, në të cilën vetëm në minutën e 132, pra me gjithë shtesën e lojës 2×15 dhe pastaj deri në shënimin e golit të fitores, pa përfshirë ndeshjen e parë finale të mbyllur 1-1, Pano, me një gjuajtje të rrallë i dha Partizanit titullin kampion; shembjen e shkallëve të drunjta në stadiumin Qemal Stafa, gjatë një ndeshjeje në fillim të tetorit të vitit 1965 midis 17 Nëntorit dhe Partizanit, fituar nga futbollistët e këtij të fundit 1-0, ku për fat të mirë pati vetëm disa të plagosur;tragjedinë që ndodhi në ndeshjen finale të Kupës së Kampionëve zhvilluar në stadiumin e Heisel te Brykselit midis Juventusit dhe Liverpulit, (1-0), ku për shkak të sulmit të huliganëve anglezë mbetën te vdekur 39 italianë dhe mbi 300 të tjerë të plagosur.
Dhe ja tani kur prej disa ditësh në Londër po zhvillohen Lojërat e 31-ta Olimpike, u ofroj lexuesve kujtimet mia rreth një ngjarjeje tjetër, por këtë radhë dramatike, ndeshjen finale te basketbollit, midis SHBA-së dhe Bashkimi Sovjetik, zhvilluar më 9 shtator të vitit 1972, pra thuajse 40 vjet më parë gjatë Lojërave të 20-ta Olimpike të Mynihut, fati i së cilës u përcaktua në tre sekondat e fundit me një përmbysje që me mënyrën si u zhvillua besoj se nuk do të përsëritet kurrë në historinë këtij sporti kaq dinamik.
Edhe këtë ngjarje e kam përjetuar si ato që përmenda më lart gjatë komentit të saj në një nga studiot e TVSH-së, kur pranë mikrofonit dhe kameras kisha Feti Borovën, pa dyshim edhe sot specialisti më i mirë i basketbollit në Shqipëri, i cili për fat të keq, para disa vitesh humbi jetën në një aksident automobilistik.
Në mënyrë që amerikanët të kishin mundësi ta ndiqnin këtë ndeshje, ajo u vendos të fillonte rreth orës 24.00, për të përfunduar rreth orës 02.00 të pasmesnatës, që përkonte me orët 18.00-20.00 në brigjet e Oqeanit Atlantik, deri në orët 21.00-23.00 në brigjet e Oqeanit Paqësor.
Që nga Olimpiada e 15-të e Helsinkit, zhvilluar më 1952, kur Bashkimi Sovjetik i Stalinit, deri atëherë i izoluar nga bota, (ashtu siç do të vetizolohej nga bota edhe Shqipëria e Enver Hoxhës), kishte marrë për herë të parë pjesë në lojërat olimpike, skuadrat sovjetike nuk kishin arritur të fitonin kurrë në basketboll ndaj skuadrave amerikane, ndonëse këto të fundit ishin thjesht diletante, të përbëra nga basketbollistë të kolegjeve, pra ku përjashtoheshin basketbollistët profesionistë të NBA-së.
Edhe në Olimpiadën e 20-të të Mynihut Amerika dërgoi një ekip vërtet të mirë, por studentor, dhe jo si në olimpiadat e fundit, duke përfshirë edhe këtë të Londrës, ku lejohen të marrin pjesë edhe sportistë profesionistë. Kurse sovjetikët u paraqitën me ekipin e tyre më të mirë, të zgjedhur nga të gjitha republikat e ish-Bashkimit Sovjetik.
Ndeshja zhvillohet edhe në një sfond të tendosur politik, me ringjalljen e Luftës së Ftohtë, që ka përshirë të dy superfuqitë më të mëdha të botës edhe në sport-SHBA-në dhe Bashkimin Sovjetik. Amerikanët vazhdojnë të pësojnë humbje në Vietnamin e ndihmuar me armë nga sovjetikët.
Nga ana tjetër, për të prishur baraspeshat politike, presidenti amerikan Nikson në pranverë të viti 1972 takohet në Pekin me kryetarin kinez Mao Ce Dun, dukuri që nuk shihet me sy të mirë nga Brezhnjevi, por edhe nga Enver Hoxha, i cili më pas do ta quajë këtë vizitë kompromis me imperializmin amerikan dhe shkelje të parimeve të marksizëm-leninizmit dhe do ti kthejë edhe atij shpinën, si Hrushovit dikur.
Nuk mjafton kjo, por në dyluftimin e shekullit në shah, përfunduar në prill të atij viti, amerikani Fisher i rrëmben sovjetikut Spaski kurorën e kampionit botëror, pronë deri atëherë e shkollës shahistike ruse. Ja përse ky takim, si dhe takimet e tjera amerikano-sovjetike gjatë kësaj olimpiade, merr edhe ngjyra politike.
Që nga fillimi i takimit dhe deri 40 sekonda para mbarimit të kësaj ndeshje, ishin sovjetikët ata që udhëhiqnin vazhdimisht, ndonëse me largësi jo më shumë se prej 5-6 pikësh. Dhe këtu ndodhën të papriturat që do të futen në legjendë. Si unë, ashtu dhe Feti Borova, që kam ftuar në studio, e ndjekim ndeshjen nëpërmjet komentit të Aldo Xhordanit, dikur basketbollist i njohur italian dhe pastaj komentator televiziv i RAI-t. Ndonëse humbasin dy nga më të mirët e tyre, Xhonsin, për gabime personale dhe Brauerin, i dëmtuar, pasi bie rëndë në parket, në ato 40 sekonda të fundit amerikanët shkurtojnë largësinë dhe rezultati arrin 48-49.
Por në përpjekje për të shënuar, sovjetikët humbasin topin që zotërohet nga amerikani Kollins. Ai pengohet në sulm. Gjyqtarët Rogeto, (Brazil) dhe Arabaxhjan (Bullgari), një zëri akordojnë dy gjuajtje të lira. Kolinsi me gjakftohtësi të habitshme e dërgon topin dy herë në kosh,duke i lënë sovjetikët të tulatur nga kthesa që merr loja.
Janë tani amerikanët që udhëheqin 50-49. Për herë të parë gjatë tërë kësaj ndeshjeje tepër të tendosur, por po aq e ashpër, nervoze dhe mbi të gjitha e pabukur, që e dëshmojnë edhe shifrat e ulëta me gabime në gjuajtje.
Pas dy pikëve të shënuara nga Kollinsi, sovjetikët detyrohen ta nisin lojën nga vija fundore. Që nga ai çast kanë mbetur gjithsej tre sekonda që loja të përfundojë. Dhe kur ata nisin sulmin, papritur, trajneri sovjetik, Kondrashin, kërkon një minutë pushim Për më tepër futet pa teklif edhe në fushë… Dhe çuditërisht gjyqtarët miratojë kërkesën e tij. Tani mbetet një sekondë që loja të përfundojë. Fillon minuta e pushimit e kërkuar nga sovjetikët.
E pa pranueshme, -dëgjoj ndërkohë zërin e Aldo Xhordanit nga kufjet, -Sipas rregullores pushimi mund të kërkohet vetëm kur topi nuk është në lojë.
Vërtet edhe unë e di që kështu është dhe këtë të vërtetë e përforcon dhe më mirë Feti Borova pranë meje.
Një gabim i tillë nuk mund të ndodhë as në një ndeshje të nivelit më të ulët, – pohon ai. -Dhe çuditërisht e shohim në një finale olimpike midis dy gjigantësh.
Loja fillon nga sovjetikët përsëri nga vija e fundore. Por në këto e sipër, dëgjohet sirena. Takimi mbyllet kështu 50-49 për amerikanët, që përsëri dhe si gjithnjë më parë, janë kampionë olimpikë
Si zakonisht në të tilla raste, gëzim, hare, puthje përqafime të basketbollistëve amerikanë midis tyre ,dhe me trajnerin e tyre, Aiba.
Mirëpo ashtu si Liza në botën e çudirave, roman i shkrimtarit të njohur amerikan, Ljuiz Kerroll, (1832-1878), ashtu ndodh kur, as më shumë dhe as më pak, por anglezi Xhons, president i FIBA-s, (Federata Ndërkombëtare e Basketbollit), zbret në fushën e këtyre çudirave që shihen në fushën e basketbollit dhe urdhëron gjyqtarët, para asaj goxha jurie përballë tij, (me çtë drejtë?), se në çastin kur sovjetikët kishin nisur lojën, sekondat për tu luajtur nuk qenkëshin dy, por tre, për shkak të ngecjes së kronometrit.
Gabim tjetër i rëndë,- vë në dukje Aldo Xhordani nga pallati i sportit Rudi Sedimajer Halle, ku komenton këtë ndeshje që tashmë përfton ngjyrime sureale. Këtë e pohon edhe Feti Borova pranë meje.
Kështu amerikanët janë kampionë olimpikë vetëm për disa minuta, pas të cilave për të tretën herë loja fillon përsëri nga vija fundore e sovjetikëve.
Dhe kështu ndodh ajo që nuk përfytyrohej kurrë. Ashtu sic flaket një gjyle në garat e atletikës, ashtu edhe Edeshko e flak topin drejt tabelës kundërshtare. Pasi përshkon një