ONTARIO – Wadephul: G7 kërkon një urdhër zyrtar të OKB-së për të zbatuar planin e paqes në Gaza

ONTARIO, 12 nëntor /ATSH-DPA/- Grupi i Shtatë vendeve (G7), që kryesojnë demokracitë e industrializuara, po kërkon një urdhër zyrtar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të siguruar zbatimin e shpejtë të planit të paqes për Rripin e Gazës, tha sot ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul.
“Ne kemi nevojë për një urdhër nga Këshilli i Sigurimit – në mënyrë që Hamasi të çarmatoset dhe një forcë ndërkombëtare sigurie të marrë përgjegjësinë”, tha sot Wadephul në ditën e dytë të takimit të ministrave të Jashtëm të G7, në Niagara-on-the-Lake, në Kanadanë juglindore.
Përveç Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendet e G7 përfshijnë Francën, Italinë, Japoninë, Britaninë e Madhe dhe Kanadanë.
SHBA-ja, Franca dhe Britania e Madhe janë të gjitha anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, së bashku me Kinën dhe Rusinë.
Wadephul tha se çështja ishte diskutuar në një seancë fillestare pune të takimit të G7 dje në mbrëmje.
Ai tha se ministrat e Jashtëm kishin rënë dakord se një urdhër zyrtar i OKB-së ishte i nevojshëm dhe se duhej të sigurohej sa më shpejt të ishte e mundur.
“Por, rezolutat nuk mund të urdhërohen, ato duhet të negociohen”, tha ministri gjerman.
“Është e qartë se koha po ecën dhe se na duhet një strukturë sigurie sa më shpejt të jetë e mundur për të siguruar rendin në Rripin e Gazës”, tha Wadephul.
“Një forcë e tillë sigurie do të ishte në gjendje të kontrollonte militantët palestinezë të Hamasit dhe grupet e tjera të armatosura në Rripin e Gazës – vetëm nëse sigurohet një urdhër i qartë për vendet që dërgojnë trupa”, tha ministri i Jashtëm gjerman.
Çështja se cilat vende mund të ofrojnë trupa për një njësi të tillë sigurie është objekt i negociatave të vazhdueshme me Izraelin. //a.i/