Çenei: Politikat e Obamës, të rrezikshme
Në një intervistë të dhënë të dielën për rrjetin CNN, ish- zëvendëspresidenti amerikan, Dik Çenei, vërejti se shkëputja nga administrata e Obamës prej politikave antiterroriste të Bushit, e ka bërë vendin më të prekshëm nga rreziku i sulmeve të reja terroriste. Çenei nënvizoi se teknikat "alternative" të marrjes në pyetje, të përdorura gjatë administratës "Bush", ishin "absolutisht thelbësore" në parandalimin e sulmeve si ai i 11 shtatorit 2001. Sipas kritikëve, ato teknika shtyheshin deri përtej kufijve të torturës ndaj të burgosurve në duart e amerikanëve. "Presidenti Obama i mëshoi fort këtij fakti gjatë fushatës së tij elektorale dhe tani po bën disa zgjedhje që, për mua, në fakt, i bëjnë amerikanët më të rrezikuar ndaj një sulmi të ri", u shpreh Çenei gjatë intervistës. Që nga marrja e detyrës, në janar të këtij viti, Obama ka këmbëngulur për mbylljen e burgut amerikan të Guantanamos, ku këto teknika hetimi janë përdorur gjerësisht.