E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Fushata, pretendimet për parregullsi pengojnë integrimin

TIRANE- Koordinatori special i OSBE-së, Roberto Battelli, i cili do të udhëheqë misionin afatshkurtër të vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri, nëpërmjet një deklarate bëri dje të ditur se një fushatë elektorale e mbushur me pretendime për parregullsi do të sjellë një pengesë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. “Këto zgjedhje do të jenë një tjetër test se sa të gatshëm janë aktorët politikë në Shqipëri për të kontribuuar në mënyrë aktive dhe konstruktive për institucionet e vëndit, pavarsisht konkurrencës politike dhe kundërshtimeve rreth interpretimit dhe zbatimit të ligjeve. Objektivi parësor i OSBE-së është dhënia e mundësisë qytetarëve për të matur performancën e garuesve politikë. Njëkohësisht të sigurojë që zgjedhja që do të bejnë qytetarët të jetë jo e paragjykuar gjatë procesit elektoral. Një fushatë elektorale e mbushur me pretendime për parregullsi elektorale do të shërbente si një çrregullim i mëtejshëm tek votuesit, njëkohesisht pengesë për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së”, - deklaroi Battelli për Top Channel. Ai është caktuar si personi që do të paraqesë raportin paraprak të zgjedhjeve në datën 24 qershor. Jashtë kamerës Battelli i tha TCH se ai nuk duhet të paragjykohet. “Prisni raportin dhe atëherë jepni vlerësimin tuaj”, - theksoi ai.

Dy ditë më parë, anëtari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, i shoqëruar edhe nga kreu i zyres së Asamblesë Parlamentare në Vjenë, ambasadori Andreas Nothelle, zhvilloi një takim me kryeministrin, Sali Berisha. Sipas njoftimit për shtyp, shefi i ekzekutiviti e siguroi Battellin dhe diplomatin Nothelle “për vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë shqiptare që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u rishprehu atyre dëshirën dhe kërkesën e qeverisë shqiptare që OSBE-ja dhe organizma të tjerë, si Këshilli i Evropës apo vendet antare të OSBE-së, të nxisin dërgimin e sa më shumë vëzhguesve në Shqipëri, për të vlerësuar nga afër procesin zgjedhor”, - thuhej në njoftimin e qeverisë. Në këtë takim, Berisha gjithashtu i njohu përfaqësuesit e lartë të OSBE-së me me urdhrin e nënshkruar prej tij i cili ndalon përdorimin e burimeve financiare dhe mjeteve e materialeve e ndryshme të administratës shtetërore të çdo niveli, në shërbim të veprimtarive të fushatës elektorale.

Të dy anëtarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE e vleresuan këtë si një hap tjetër të rëndësishëm në shërbim të një procesi zgjedhor sa më të mirë. Në lidhje me problemin e KQZ-së, kryeministri theksoi se Partia Socialiste po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor, duke keqpërdorur rolin e anëtarëve të saj në KQZ. “Sidoqoftë, mazhoranca është tërësisht e hapur dhe e gatshme për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së me emrat që opozita do të propozojë”, - u shpreh Berisha në këtë takim. Nga ana tyre Battelli dhe Nothelle, sipas njoftimit për shtyp të qeverisë “e falënderuan kryeministrin për bashkëpunimin e ngushtë që ai dhe qeveria shqiptare ka dëshmuar në vijimësi dhe po i dëshmon Asamblesë Parlamentarë të OSBE-së, në veçanti për sa i përket angazhimit të kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare që procesi i zgjedhjeve të 23 qershorit të jetë një proces konform të gjitha standardeve ndërkombëtare, si dhe shprehën mirënjohje për vendosmërinë e kryeministrit Berisha që në Shqipëri të vijë numri më i madh i mundshëm i vëzhguesve për të ndjekur nga afër këto zgjedhje”, - përfundonte njoftimi për shtyp i qeverisë.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›