OSBE: Më shumë gra kandidate në zgjedhjet vendore

Në ditën ndërkombëtare të gruas prezenca e OSBE-së në Tiranë ka kërkuar respektimin e barazisë gjinore në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Në një deklaratë për shtyp Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Eugen Wollfarth thekson se beson se
pjesëmarrja aktive e grave në jetën publike dhe politike të vendit është me rëndësi të madhe për një shoqëri demokratike, moderne dhe paqësore.
"Gratë shqiptare, duke qenë një përbërës i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare, duhet të jenë po ashtu pjesë e pandashme e qeverisjes dhe proceseve demokratizuese në vend" u shpreh Wollfarth.
Ai ka theksuar se është e rëndësishme t`u ofrohet e gjithë mbështetja e mundshme kandidateve gra, sikurse është me rëndësi zbatimi në praktikë i kuotave gjinore prej 30 për qind.
“Një nga përfundimet e një projekti trevjeçar për rritjen e rolit të gruas në qeverisje është se gratë anembanë vendit dëshirojnë të kandidojnë në zgjedhje dhe të votojnë. Ky është një përfundim i rëndësishëm i projektit të administruar nga Prezenca e OSBE-së dhe të bashkëfinancuar nga Vendet e Ulëta dhe Suedia," shtoi Wollfarth.
Ai ka theksuar se pavarësia gjinore është një angazhim i rëndësishëm i OSBE-së duke shtuar se akti final i Helsinkit e nënvizon respektin për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore pa dallim gjinie si një nga parimet kyçe të OSBE-së.
“Më 2004, të gjitha shtetet pjesëmarrëse përtëritën angazhimin e tyre për barazinë gjinore duke deklaruar se "të drejtat e barabarta mes grave dhe burrave dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut janë thelbësore për paqen, demokracinë e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik, dhe si rrjedhojë për sigurinë dhe stabilitetin në zonën e OSBE-së" përfundon Wollfarth.