E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Qeveria, pa strategji e jo transparente me pronat

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth

Ambasadori Wollfarth: Procesi i kthimit të pronave është ngadalësuar.

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Uollfarth, deklaroi dje se zgjidhja e çështjes së pronave ka ngecur për shkak të moskoordinimit midis qeverisë dhe agjencive të linjës. Gjatë një interviste për DW, kreu i prezencës së OSBE-së u shpreh me nota kritike për hartimin e kuadrit ligjor për zgjidhjen e konfliktit të pronësisë, duke thënë se ligji nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe draftimi i tij është bërë në mënyrë jotransparente. Uollfarth pohoi se vërehet një dublim kompetencash dhe mungesë e strategjive të buxhetimit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Procesi është ngadalësuar nga një debat lidhur me autoritetin e agjencisë përgjegjëse për çështjen e pronave. Duket se ka edhe një mungesë transparence dhe konsultimesh në hartimin e legjislacionit të pronave. Nevojitet një përforcim i koordinimit midis qeverisë dhe agjencive përkatëse, sepse aktualisht shohim një mungesë të panevojshme eficience dhe mbivendosje përpjekjesh. Mungesa e një kuadri strategjik ka çuar në planifikim të dobët dhe në ndarje të pamjaftueshme të buxhetit të nevojshëm për të siguruar zbatimin e plotë, theksoi Uollfarth. Diplomati i OSBE-së kërkoi nga maxhoranca që të hartojë një strategji gjithëpërfshirëse për të garantuar të drejtën e pronës dhe kompensimin saj në rastet e evidentuara si abuzive. Moszgjidhja e këtij problemi disavjeçar, sipas kreut të OSBE-së, ka bërë që të shndërrohet në një problem serioz për investimet e huaja. Strategjia nevojitet gjithashtu për të ofruar siguri, për të shmangur konfliktet dhe për të formuar bazën e zhvillimit ekonomik. Strategjia duhet të krijojë një vizion të qartë e gjithëpërfshirës. Ajo duhet të krijojë dhe të reflektojë konsensus publik në lidhje me qëllimin e dëshiruar të reformave, dhe të përcaktojë hapa konkretë dhe një afat kohor të arsyeshëm dhe realist për përmbushjen e këtij qëllimi, u shpreh ambasadori. Prezenca OSBE-së kërkon ndërkaq që të përshpejtohet dhe procesi i kompensimit të pronave që deri më tani ka njohur vetëm raste të tilla.

FATION BINJKAU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›