E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqatat shqiptarë kundër regjistrimit mbi baza etnike

Tiranë- “Lufta” për regjistrimin e popullsisë përfshin gjithnjë e më shumë aktorë, ku gjatë ditës së djeshme 81 shoqata, me nismën e shoqatës “Labëria”, kanë reaguar ashpër gjatë një tubimi, duke u shprehur kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike. Ata i kanë bërë thirrje me anë të një peticioni qeverisë shqiptare për ta ndaluar këtë regjistrim si edhe e kanë akuzuar atë se po i bindet çdo kërkese të qeverisë greke. Në këtë tubim ishin të pranishëm dhe një sërë figurash të njohura, si Sabri Godo, Pëllumb Xhufi, por edhe zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Gjatë fjalës së tij, Godo u shpreh me tone ironike ndaj përkrahësve të këtij regjistrimi. “Shkenca thotë që u dashkan 6 mijë vjet të ndërrohet kodi gjenetik i njeriut, ndërsa me formularin e qeverisë e ndërron kombësinë në 2 minuta e gjysmë”, - deklaroi Godo. Ndërsa Xhufi deklaroi se është shumë e rëndë që këta njerëz që kërkojnë regjistrimin mbi baza etnike, janë miq të të gjithë politikanëve shqiptarë. “Interesat tona varen nga një pensionist, Nikollaq Gaxojanis, që është mik i gjithë pushtetarëve shqiptarë. Që është mik i Saliut, Ilirit dhe Fatosit. Kjo është për të vënë duart në kokë”, - u shpreh Xhufi. Ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë kësaj kohe, Kreshnik Spahiu është shprehur kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike, pasi, sipas tij, Shqipëria nuk është një vend multietnik. Nënkryetari i KLD vuri në dukje se kombësia nuk është një çështje që shitet dhe blihet, pasi i kapërcen kufijtë personalë dhe është një çështje kombëtare. Në fund të fjalës së tij, Spahiu i ftoi krerët e partive të minoritetit grek në Shqipëri, Vangjel Dule dhe Ligoraq Karamelo, të debatojnë për këtë çështje në një debat të hapur publik. Ndërkohë, më e nderë paraqitet situata në kampin tjetër, ku përfaqësues të partisë MEGA dhe krerët e OMONIA-s së Sarandës kanë konfirmuar iniciativën e tyre për të regjistruar vetë minoritarët grekë në jug të Shqipërisë. Duke e quajtur të pajustifikueshëm vendimin për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, kreu i partisë “Mega”, Kristaq Kiço, tha se do të ndërmerret një aksion politik serioz për identifikimin e të gjithë minoritarëve grekë në Shqipëri dhe se këtë rezultat do t’ia paraqesë edhe Këshillit të Europës. Nga ana tjetër Llambi Panteqi, kryetar i organizatës OMONIA për Sarandën, sqaron se pretendimet e tyre nuk prekin kombësinë sot, por atë të humbur gjatë sistemit komunist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›