E Diel, 1 Nëntor 2026

Alonso te Ferrari, Raikonen drejt MekLaren

Fernando Alonso do të garojë me Ferrarin. Brenda datës 4-5 tetor, pritet që lajmi të konfirmohet zyrtarisht nga skuadra italiane dhe nga dy herë Kampioni i Botës në Formula 1. Gjithçka pritet të anonçohet në fundjavën e Çmimit të Madh të Japonisë. Të gjithë prisnin që lajmi të konfirmohej që prej datës 13 shtator, pas garës në Monza, por skandali "Renault-gate" dhe afrimi i Fizikelës si zëvendësues i Felipe Masës ndryshoi planet e drejtuesve në Maranelo. Vonesa për zyrtarizimin e "martesës" cilësohet e parëndësishme, edhe sepse marrëveshja ishte arritur prej kohësh. Gazeta spanjolle "AS" përcaktonte edhe kohëzgjatjen e bashkëpunimit: "Alonso ka firmosur për pesë vjet". Impenjim afatgjatë për pilotin e zbuluar dhe sponsorizuar gjatë nga Flavio Briatore, por edhe për skuderinë Ferrari, që kërkon të hedhë pas krahëve paraqitjet zhgënjyese të këtij sezoni. Shoku i skuadrës së Alonsos do të jetë Felipe Masa, i cili po përgatitet për t‘u rikthyer në cirkuitet e F1. Ndërkohë, pas titullit të fituar në Botërorin 2007 me Ferrarin, Kimi Raikonen pritet të kthehet te MekLareni, skuadër në të cilën ka garuar për pesë vjet me radhë. Në garë për shërbimet e pilotit finlandez duket se është edhe surpriza e këtij sezoni, BraunGP.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›