OSBE-ja: “Nuk do të largohemi nga Shqipëria”
OSBE-ja ka reaguar pas debateve më të fundit në lidhje me praninë e saj në Shqipëri. Ajo ka bërë të ditur se po ndjek nga afër debatin rreth mandatit të saj në Shqipëri. “OSBE-ja është një partner afatgjatë në Shqipëri dhe se ka dhënë ndihmë të vazhdueshme për ecurinë e reformave”, - thuhet në reagimin e zyrës së OSBE-së në Tiranë. Të njëjtin reagim OSBE-ja ka përcjellë për autoritetet shqiptare edhe në një letër që kreu i radhës, Aleksandër Stuub, i ka dërguar ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, që mban datën e 14 korrikut. Shefi i OSBE-së gjithashtu thekson se OSBE-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare në përputhje me mandatin e saj. Sipas Stuub, prezenca e OSBE-së në Shqipëri është në të mirë të popullit shqiptar. Debati për praninë e OSBE-së lindi pas deklaratave të një diplomati amerikan, sipas të cilit qeveria “Berisha” kishte kërkuar largimin e prezencës së OSBE-së nga Shqipëria. Menjëherë pas kësaj deklarate pati reagim si nga kryeministri Berisha, ashtu dhe nga Ministria e Jashtme, që hodhën poshtë faktin se kanë kërkuar largimin e OSBE-së nga vendi për zgjedhjet e vitit 2009. Pas alarmit që dha diplomati amerikan, sinjalet u dhanë edhe nga ambasadori shqiptar në OSBE. Mjafton të shkëputet vetëm fjala e ambasadorit shqiptar në OSBE, Gilbert Galanxhi, i cili më 17 korrik të këtij viti, gjatë një konference të OSBE-së në Vjenë, ka lënë të kuptohet se Shqipëria mund të mjaftohet vetëm me një vëmendje direkte të BE-së, ndërsa nuk është shprehur qartësisht lidhur me prezencën në terren të përfaqësuesve të OSBE-së. “Qeveria shqiptare është thellësisht e bindur se tashmë ka ardhur momenti për një impenjim cilësor, madje për një impenjim nga të gjitha palët: nga njëra anë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar. Duke vërejtur se prioritetet e Presidencës Franceze në BE janë tërësisht në përputhje me linjën e Presidencës Finlandeze të OSBE-së, ne shohim përpara për një drejtim më të mirë, për asistencë dhe monitorim nga partnerët tanë euroatlantikë. Në të njëjtën kohë ne marrim të gjitha përgjegjësitë dhe japim garanci të plotë për përmbushjen e standardeve”, - është shprehur Galanxhi.
5 Gusht 2008