E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncoi korrupsionin me tokat, tritol banesës

Velipojë- Tritol shtëpisë së personit që ka denoncuar vazhdimisht abuzimin me tokat në zonën e Velipojës. Ngjarja ka ndodhur në orët e mesnatës, kur një sasi ende e papërcaktuar tritoli ka shpërthyer në banesën e shtetasit Gjovalin Zeka.

Për fat në atë moment në banesë nuk ka pasur familjarë, pasi mësohet se ata kanë qenë në plazh. “Tritoli është vendosur në afërsi të derës dhe ka shkaktuar vetëm dëme materiale”- thanë burime nga policia lokale.

Sipas policisë, sasia e tritolit nuk mendohet të ketë qenë shumë e madhe, ndërkohë që dyshimet e para janë për një paralajmërim ndaj denoncuesit të rregullt të korrupsionit me tokat.

Vetë familjari, nuk ka pranuar të japë sqarime lidhur me ngjarjen, ndërkohë që grupi hetimor është duke hetuar për të zbardhur shkaqet dhe autorët. Për momentin nuk ka ende persona të dyshuar, kurse pistat e hetimit janë disa, duke përfshirë edhe motive personale.

Zeka ka qenë vazhdimisht në krye të protestave të banorëve të zonës, të cilët kanë qenë të pakënaqur lidhur me transparencën e ndarjes së tokave në zonën turistike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›