E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, koalicion, por pas zgjedhjeve parlamentare



Shaban Sulçe
Revanshi i kryeministrit Berisha, agresioni në rritje i tij dhe problemet e shumta të qeverisë aktuale, kanë bërë që në tregun politik të kampit të majtë të hidhet ideja e bashkimit midis të gjithë aktorëve dhe faktorëve të opozitës. Pika kyçe e këtij bashkimi ka të bëjë me arritjen e marrëveshjes midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat janë edhe forcat kryesore të së majtës, por që prej 6 muajsh rezultojnë në konflikt të hapur me njëra-tjetrën. Në fakt, ideja e bashkimit të opozitës, apo të koalicionit të saj është përkrahur nga të dyja partitë në fjalë. Megjithatë, opsioni i koalicionit paszgjedhor duket se rezulton më i mundshmi. Burime nga PS-ja dhe LSI-ja nuk e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit dhe bashkimit të opozitës, megjithatë, sipas tyre, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pas përfundimit të procesit zgjedhor të vitit të ardhshëm. Janë disa faktorë që e bëjnë pak të mundur realizimin e koalicionit parazgjedhor të së majtës, ndërkohë që edhe vetë sistemi proporcional rajonal, i sanksionuar tashmë në Kushtetutë, ku konkurrohet për parti dhe jo për kandidatë të veçantë, nuk i djeg votat brenda së majtës.
Përplasjet
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duken shumë larg arritjes së konsensusit midis tyre, ndërkohë që përplasjet kanë marrë përmasa më të mëdha. Nga ana e PS-së kanë munguar tentativat për negociata me aleatët e LSI-së, ndërkohë që nga ana tjetër LSI-ja ka shtuar dozat e akuzës ndaj lidershipit të PS-së për bashkëpunim me kryeministrin Berisha. Përballë një situate të tillë duket qartë se dalja në koalicion të përbashkët midis LSI-së dhe PS-së para zgjedhjeve të vitit 2009 mund të konsiderohet e pamundur.
Zgjedhjet
Si PS-ja, ashtu edhe LSI-ja prej kohësh kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009. Përveç organizimit në bazë, në të dyja selitë po flitet edhe për kandidatët që do të përzgjidhen nga partitë në fjalë, në listat e mbyllura. Potencialet konkurruese si të PS-së, ashtu edhe të LSI-së nuk do të gjenin hapësirën e duhur në rast se dy partitë më të mëdha të së majtës do të konkurronin të bashkuara në zgjedhjet e vitit 2009. Një gjë e tillë do të shkaktonte edhe më shumë mosmarrëveshje, përçarje dhe konflikte, ashtu siç ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2007, ku në shumë zona zgjedhore pati përplasje për kandidaturat që do të përzgjidheshin për të përfaqësuar të majtën.
Matja e forcave
Konkurrimi i veçuar midis PS-së dhe LSI-së, por edhe i partive të tjera të së majtës, duket se do të rezultojë i rëndësishëm edhe përsa i përket matjes së forcave reale të çdo partie të opozitës. Rezultati i zgjedhjeve 2009 do të jetë përcaktues në peshimin e vlerës dhe forcës së çdo partie. Mbi bazën e këtij rezultati do të përcaktohen pretendimet e tyre edhe përsa i përket shpërndarjes së hapësirave qeverisëse, në rast të fitores së të majtës në zgjedhjet e vitit 2009.

5 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›