Importet shënojnë rritjen më të lartë në 10 vjet
Importet kërcyen në 3.14 miliardë euro gjatë vitit 2007 dhe qenë 1.7 miliardë euro vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Deficiti tregtar arriti në 2.33 miliardë euro.
Vështirësi për t’u mbuluar
Gjatë viteve të shkuara, importet e larta të Shqipërisë nuk sillnin ndonjë problem të dukshëm në ekonomi, për shkak se kërkesa për importe pasqyron para së gjithash, fuqinë blerëse të qytetarëve. Deficitet e larta tregtare janë mbuluar gjatë viteve të mëparshme përgjithësisht nga të ardhurat nga remitancat. Për këtë arsye, disa ekspertë ankoheshin për mentalitetin mediatik të dhënies së alarmit për deficitin dhe thonin se në fund të fundit, “importet janë të mira”. Sasia e mallrave të importuara varet nga sasia e parave që qytetarët kanë për të paguar këto mallra. Deri në vitin 2006, remitancat kanë mbuluar më shumë se gjysmën e deficitit tregtar. Megjithatë, situata e vitit 2007, që konsiderohet disi e ndryshme dhe teoria e vetërregullimit të kërkesë-ofertës, duket se nuk është shumë e saktë. Që nga fillimi i vitit 2007, një pjesë e konsiderueshme e rritjes së importeve qe e detyruar dhe jashtë kushteve të kërkesë-ofertës. Importet e naftës apo të energjisë elektrike, nuk i binden drejtpërsëdrejti vetërregullimit të tregut. Për pasojë, niveli i deficitit të llogarisë korrente, që merr parasysh edhe remitancat, u rrit në 890 milionë euro, shifër kjo e konsideruar si shumë e lartë. Duket se shqiptarët i kanë paguar importet e larta me borxhe dhe me shpenzim kursimesh. Një pasojë e kësaj situate dallohet te kursi i këmbimit. “Shumë interesant është fakti që sasia e madhe e parave të shpenzuara për të blerë energji elektrike, ka ndalur forcimin e lekut kundrejt euros dhe ka sjellë një nënçmim të monedhës vendëse”, - shkruante në raportin e tij për Institutin Ekonomik të Vjenës, Mario Holzner. Importet e larta janë pasqyruar në një normë më të ulët të rritjes së depozitave të shqiptarëve në banka.