E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE kërkon vëzhgues nga BE-ja

Qindra vëzhgues ndërkombëtarë pritet të vërshojnë më 3 nëntor në komunat veriore të Kosovës, në zgjedhjet lokale të cilat për herë të parë mbahen nën organizimin e institucioneve të Kosovës. Jo zyrtarisht, ‘Zëri’ ka mësuar se OSBE ka bërë këtë kërkesë nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian.

Kjo do të jetë edhe tema kryesore e takimit Thaçi- Daçiq, i cili do të mbahet me 27 gusht. “OSBE si lehtësuese dhe organizuese e zgjedhjeve në atë pjesë të Kosovës, ka kërkuar nga BE një numër të lartë të vëzhguesve evropianë, që të jenë prezent atë ditë. Kjo është edhe tema kryesore pse dy kryeministrat Thaçi dhe Daçiq janë ftuar në Bruksel, të martën”, tha një zyrtar nga Brukseli, i cili shtoi se BE ka përkrahur këtë kërkesë të OSBE-së.

“Por për detaje dhe për finalizim do të flitet edhe me dy kryeministrat, mes të cilëve do të ketë edhe diskutime tjera, kryesisht për veriun por edhe për temat që deri më tani janë zhvilluar në Bruksel, si telekomi dhe energjia”, ka shtuar burimi i gazetës në Bruksel.

Takimin e nesërm, (e martë) mes dy kryeministrave e ka konfirmuar edhe Maja Kocijancic, zëdhënëse e baroneshës Ashton, por si çdo herë tjetër, ajo nuk dha detaje për temat që do flasin ata. “Të martën me 27 gusht, në Bruksel janë ftuar në takimin e radhës Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, të cilët do të diskutojnë mbi progresin e implementimit të marrëveshjes së prillit, bazuar në planin që dy kryeministrat e kanë miratuar”, tha ajo. /Zëri/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›