E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE/ODIHR Zgjedhjet transparente

Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it kanë publikuar sot raportin paraprak të zgjedhjeve vendore të 8 majit ku është konstatuar se zgjedhjet ishin konkurruese dhe transparente. Sipas tyre problemet e hasura në proces ishin të pranishme, por të vogla.

Kreu i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it Jonathan Stonestreet ka deklaruar se edhe pse zgjedhjet ishin transparente u organizuan në një mjedis i polarizuar dhe të mungesës së besimit të partive si në qeveri ashtu edhe në opozitë.Më tej Stonestreet theksoi se dy partitë e mëdha nuk morën përsipër rolin e tyre zgjedhor në mënyrë të përgjegjshme dhe ato abuzuan me rolin e tyre duke vazhduar betejën politike.

Kreu i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it gjithashtu theksoi se aspekti pozitiv që është konstatuar lidhet me përmirësimin e listave, punën e Kolegjit Zgjedhor për të vendosur për ankimimet e partive dhe medias, e cila ka qenë pluraliste. “KQZ-ja funksionoi me transparencë por polarizimi ndikoi në punën e saj pasi disa vendime u morën në linja partiake” theksoi Stonestreet.

Më tej Stonestreet theksoi gjithashtu se u shkelën disa afate ligjore mbi emërimin e komisionerëve dhe moscaktimi i tyre nga opozita e detyroi KQZ-në që të ndërhynte. “PD dhe PS nuk caktuan në kohë ekipet e numërimit dhe fushata u shoqërua me retorikë të ashpër ku ka pasur raste kur punonjës të administratës u përdorën për të mbështetur partitë” theksoi Stonestreet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›