QKB: Mbi 16 mijë biznese të reja të regjistruara deri në fund të gushtit

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, është shënuar një rritje domethënëse e numrit të bizneseve të reja të regjistruara në Shqipëri.
Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, në këtë 8-mujor janë regjistruar mbi 16 mijë subjekte të reja, një tregues i besimit në klimën ekonomike dhe i lehtësimit të procedurave për nisjen e aktivitetit sipërmarrës.
Në një vështrim më të gjerë, në fund të vitit 2024, numri i njësive ligjore aktive në vend arriti në 237.881, nga 226.778 një vit më parë.
Shpërndarja rajonale e bizneseve mbetet e përqendruar kryesisht në zonat më të zhvilluara të vendit, ku mbi 66% e ndërmarrjeve aktive janë të lokalizuara në qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë. Tirana vazhdon të kryesojë me 63.212 ndërmarrje aktive.
Struktura ekonomike e bizneseve shqiptare mbetet e orientuar kryesisht drejt sektorit të shërbimeve, të cilat përfaqësojnë 86% të ndërmarrjeve në total dhe gjenerojnë 67,1% të xhiros vjetore. Brenda këtij sektori, tregtia zë një peshë të rëndësishme në punësim, me 19,5% të forcës punëtore.
Nga ana tjetër, sektori prodhues, ndonëse përfaqëson vetëm 14% të ndërmarrjeve, kontribuon me 32,9% të xhiros kombëtare. Brenda këtij segmenti, industria luan një rol kyç, duke përfshirë 17,3% të të punësuarve gjithsej.
Pjesa dërrmuese e sipërmarrjeve shqiptare janë ndërmarrje të vogla, ku 85,8% e tyre kanë nga një deri në katër të punësuar. Këto mikro-ndërmarrje kontribuojnë me 22,6% të totalit të punësimit dhe realizojnë 18,7% të xhiros vjetore, duke nënvizuar rolin e tyre në strukturën e ekonomisë kombëtare. /j.p/