OSSH: Punimet për transpormatorin e ri mbyllen të hënën
TIRANE- Vazhdon edhe sot puna për vendosjen e transformatorit të ri 10 kv në në nënstacionin e Selitës, në Tiranë, i cili do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike të zonës juglindore të kryeqytetit. Lajmi është konfirmuar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes i cili shton se edhe gjatë ditës së sotme ndërprerjet e energjisë në disa zona të Tiranës do të jenë nga ora 10.00 – 16.00. Zonat në Tiranë që do të preken nga kufizimet e energjisë do të jenë ish-NPV, zona e Parkut dhe blloku "Vasil Shanto"
OSSH thotë se transformatori pritet të vihet në punë ditën e hënë ndërkohë që brigadat e riparimit të avarive po punojnë edhe për disa defekte të ndodhura në zonën e Yzberishtit dhe Selitës. Investimi i OSSH-së kap vlerën e 12 milionë lekëve dhe falë këtij investimi pritet të rritet kapaciteti i nënstacionit të Selitës, pasi do të ketë 4 transformatorë me një fuqi totale të instaluar prej 120 Megavat çka do të përmirësojë furnizimin me energji elektrike në pjesën juglindore të kryeqytetit, si në zonën e Selitës, rrugën e "Elbasanit", rrugën "1 Maji", Sauk, etj. Punimet për rikonstruksionin e nënstacionit elektrik të Selitës nisën në fillim të muajit nëntor 2008.
(s.g/BalkanWeb)