E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH, model të ri kontrate me konsumatorët

Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta deklaroi sot se "bëhet fjalë si për detyrimet e palës furnizuese, ashtu dhe për detyrimet e palës që furnizohet me energji elektrike. 

TIRANE - Konsumatorët e energjisë elektrike do të kenë së shpejti një model të ri kontrate me furnizuesin me energji Operatorin e Sistemit të Shpërndarje, OSSH, i cili synon rregullimin e marrëdhënieve dhe njohjen e përgjegjësive mes furnizuesit dhe konsumatorëve.
Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta deklaroi sot se "bëhet fjalë si për detyrimet e palës furnizuese, ashtu dhe për detyrimet e palës që furnizohet me energji elektrike, në mënyrë që të rriten këto detyrime nga ana e furnizuesit në shumë aspekte".
Sipas tij, "kontrata e re do të jetë natyrisht më e përmirësuar dhe do të vijë pas një studimi që do të ndërmarrë OSSH lidhur me furnizimin me energji elektrike".
Veç ndryshimit të kontratës, Enti Rregullator i Energjisë është në pritje të propozimeve edhe për ndryshimin e cmimeve.
"Të gjithë të liçencuarit që aplikojnë në ERE kanë të drejtë që të paraqesin aplikimet e tyre për çmime dhe tarifa për vitin 2010 deri në datën 30 shtator 2009 dhe ne jemi në pritje. Deri tani nuk ka ardhur asnjë aplikim nga asnjë subjekt, por mendojmë që gjatë muajit shtator do të paraqiten", deklaroi Nepravishta.
Pak muaj më parë u firmos marrëveshja e shitjes se 76% të aksioneve të OSSH sh.a me kompaninë çeke CEZ për vlerën 102 milionë euro. Ndërkohë prej dy mujsh konsumatorët nuk marrin në shtëpi faturat me kilovatët e shpenzuara të energjisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›