E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH të respektojë kontratat me abonentët

Fier: Prefekti ndërhyn për mungesën e energjisë. I kërkon publikisht zgjidhje OSSH-së

Mungesa e energjisë elektrike në mënyrë të përsëritur e ka detyruar prefektin e Fierit, Bujar Hasaj, që t’u kërkojë publikisht drejtuesve të filialit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes që të mos aplikojnë më një masë të tillë. Prefekti Hasaj e ka bërë këtë thirrje përballë dhjetëra kërkesave të bizneseve, të cilët janë ankuar se energjia e munguar u ka sjellë humbje të mëdha dhe një kosto shtesë në bizneset e tyre.

Prej ditësh Fieri po përballet me kufizim të energjisë, që shkon deri dhe 7 orë. Prej tyre janë prekur si zonat rurale, ashtu edhe qendrat urbane, si Fier, Patos, Roskovec, Lushnjë etj.
Drejtuesit e filialit të OSSH-së, mungesën e energjisë nuk e kanë cilësuar si kufizim, por sipas deklaratës së tyre për shtyp, gjithçka vjen si pasojë e defekteve në rrjet dhe remontit në linja të ndryshme.

Edhe të hënën, në zonën energjetike të Fierit ka pasur shkëputje të rrymës. Kjo zonë ka mbetur pa energji nga ora 08:00 e paradites, deri në orën 14:00 pasmesdite. Si edhe më parë, OSSH-ja lokale deklaroi përmes zyrës së vet se shkak është bërë remonti i linjave kryesore me Tiranën dhe Elbasanin. Ditën e hënë jo vetëm pjesa e Fierit, por edhe jugu i vendit që varet prej këtij filiali të OSSH-së, ka pasur mungesë të energjisë.

Për shkak të kësaj situate të ripërsëritur, kërkesat pranë prefektit kanë qenë të shumta. Në reagimin e tij, kreu rajonal Bujar Hasaj, ndër të tjera theksoi: “Kërkesa ime e vetme ka qenë reduktimi në masë i orëve pa energji, si dhe respektimi i kontratave që abonentët kanë me OSSH-në. Kemi kontaktuar me drejtues të OSSH-së në Fier, të cilëve u kemi kërkuar furnizimin e pandërprerë me energji të të gjithë zonës energjetike që mbulojnë. Kjo kërkesë bën pjesë edhe në kontratat e bëra mes konsumatorëve dhe OSSH-së. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e OSSH-së, të cilëve u bëjmë apel për rishikimin e orareve të heqjes së energjisë”, ka thënë prefekti i Fierit, Bujar Hasaj.

Gjithashtu, prefekti Hasaj shton se ka kërkuar prej OSSH-së furnizim pa ndërprerje, veçanërisht për institucione të tilla si spitalet, furrat e bukës, zyrat e aplikimit për karta identiteti etj. Por, në vëmendjen e kujdesit që ka kërkuar prefekti lidhur me furnizimin me energji në mënyrë normale, ka qenë edhe biznesi, i cili është sektori që po regjistron pasojat më të mëdha.

“Do kërkojmë herë pas here që OSSH të jetë korrekte në raport me furnizimin me energji për të gjithë abonentët”, e ka përfunduar reagimin e tij prefekti Hasaj.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›