E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Pavarësia e Kosovës, më e pranuara në botë

Vizita “Presim përgjigjen unike të BE-së. Pesë shtetet europiane, që nuk e kanë njohur Kosovën, tani do ta bëjnë një gjë të tillë”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ftuar Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, që të diskutojnë “bashkëpunimin ndërqeveritar". Kryeministri, siç e citon “Zëri”, t’i ketë deklaruar të përditshmes vjeneze “Presse”, po ashtu ka shfaqur bindjen se pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të gjitha vendet e BE-së do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi ka paraqitur qëndrimin e qeverisë së Kosovës për zhvillimet e fundit pas shpalljes së mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kreu i ekzekutivit ka thënë se opinioni i GJND-së ka vulosur pavarësinë e Kosovës, pasi ka respektuar vullnetin e qytetarëve dhe vendimin për shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Thaçi ka thënë se opinioni i GJND-së ishte një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, por edhe për gjithë rajonin, raportojnë nga Kuvendi mediat e Prishtinës.
Kryeministri ka thënë para ligjvënësve se opinioni i GJND-së ishte një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, por edhe për gjithë rajonin. "Opinioni i GJND-së ka vulosur pavarësinë e Kosovës, ka respektuar vullnetin e qytetarëve dhe vendimin për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Po ashtu ka legjitimuar në gjithë botën pavarësinë e Kosovës. Ne kemi besuar gjithmonë në drejtësinë ndërkombëtare dhe çdo vendim e kemi marrë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare", ka thënë Thaçi. 
Ky vendim, sipas tij, nuk është kundër askujt, por është në dobi të paqes dhe stabilitetit dhe është një përgjigje e drejtë për gjithë botën për të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe shtet të pavarur. 
Me prezantimin e opinionit të GJND-së, Thaçi ka theksuar se Kosova u bë shteti më i legjitimuar në historinë e krijimit të shteteve, kurse vetë opinioni i GJND-së ishte i qartë, ashtu siç ishin përpjekjet e popullit të Kosovës për liri. 
Duke njoftuar ligjvënësit për vizitën e tij në SHBA, Thaçi ka thënë se në takimet që ka zhvilluar atje është rikonfirmuar edhe njëherë mbështetja e SHBA-së për qeverisjen e mirë në Kosovë, për luftën kundër korrupsionit dhe për ndërtimin e shtetit demokratik dhe multietnik. 
Në emër të qeverisë së Kosovës, ai i ka ftuar të gjitha vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta marrin vendimin për njohjen e shtetit më të ri në botë. 
"Mendimi i qartë i GJND-së ka hapur një kapitull të ri për Kosovën dhe për të gjithë rajonin. Tani presim një sërë njohjesh të reja. Pres që BE të përgjigjet në mënyrë unike dhe që pesë shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, tani ta bëjnë një gjë të tillë, pasi nuk ekziston më ndonjë arsye për hezitim”, ka porositur Thaçi në një intervistë dhënë të përditshmes vjeneze, "Presse".
"E ftoj Beogradin për bashkëpunim si dy shtete të barabarta. Për këtë jemi të gatshëm, por jo edhe në dialogun e imagjinuar nga Beogradi. Nuk dëshiroj që me Serbinë të diskutojmë për çështjet tona të brendshme politike”, ka thënë Thaçi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›