ARMO ndëshkohet për pozitën dominuese nga Konkurrenca
Kompania e njohur, “Armo sh.a.” e rafinimit dhe tregtimit të naftës, po përballet me një ndëshkim financiar që kap vleftën e 2.7 milionë dollarëve. Në mbledhjen e këtij muaji, Komisioni i Konkurrencës ka shqyrtuar çështjen me objekt “Ekzistencën ose jo të abuzimit me pozitën dominuese të shoqërisë ‘Armo sh.a.’ në tregun e prodhimit dhe të tregtimit të produktit lëndë djegëse diesel (D2)”. Ky institucion ka ndjekur procesin monitorues të sjelljes së ndërmarrjes në fjalë, pas privatizimit të saj. Mbi bazën e ligjit, Autoriteti i Konkurrencës, pas shqyrtimit të rastit, ka marrë vendim për hapjen e hetimit të thelluar, për të verifikuar ekzistencën ose jo të abuzimit me pozitën dominuese që kjo shoqëri ka në tregun e prodhimit dhe të tregtimit të produktit të lëndës djegëse diesel (D2) për periudhën nga fillimi i janarit, deri më 31 tetor të vitit të kaluar. Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës prej kohësh kishte kryer procedurat hetimore, duke paraqitur në përfundim të tij “raportin e hetimit të thelluar”. Më datën 10 qershor 2010, autoriteti zhvilloi seancën dëgjimore, ku pala nën hetim paraqiti pretendimet e saj mbi këtë raport. Autoriteti i Konkurrencës në raportin e përgatitur konstaton se “mbi bazën e vlerësimit të pozitës dominuese të ndërmarrjes ‘Armo sh.a.’ në lidhje me analizën e pjesës së tregut që zë kjo ndërmarrje në tregun përkatës lëndë djegëse diesel (D2) për makina dhe makineri, pengesave të hyrjes në treg, konkurrencës potenciale, fuqisë ekonomike të ndërmarrjeve, fuqisë kundërvepruese të blerësve dhe karakteristikat e tjera të tregut përkatës, ka rezultuar se kjo ndërmarrje për periudhën në hetim ka pasur pozitë dominuese në tregun përkatës objekt hetimi”.
Në njoftimin zyrtar të Autoritetit të Konkurrencës pohohet se, “sipas evidencave të administruara, ka rezultuar se ndërmarrja ‘Armo sh.a.’, gjatë periudhës nën hetim ka zbatuar çmime dhe kushte të ndryshme tregtimi për veprime të njëjta tregtare me palët, duke vendosur në kushte të pafavorshme konkurrence ndërmarrjet që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të produktit lëndë djegëse diesel D2”.
Për arsyet e mësipërme, në raportin e tij konkludues, Komisioni i Konkurrencës njofton se ka vendosur që ndërmarrja “Armo sh.a.”, për shkak të abuzimit me pozitën dominuese në treg, gjatë kësaj periudhe, të gjobitet në shumën 271880720 lekë, që përbën 2,6% të xhiros totale vjetore të vitit 2009. Po në këtë vendim deklarohet fakti që për periudhën e përmendur të mbyllen hetimet e thelluara, të nisura me vendimin e Komisionit të Konkurrencës.
Komisioni në fjalë autorizon Drejtorinë e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të zbatojë vendimin ekzekutues të këtij komisioni.
#