OST: Kufizimet nga probleme në linjën Vau i Dejës-Lezhë
TIRANE- Pas dëmtimeve në linjat e transmetimit të energjisë ,Operatori i sistemit të transmetimit ka bërë përpjëkje të shumta për të riparuar avaritë.
Linja e transmetimit të energjisë 220 kV Vau i Dejës-Lezhë është e vetmja që ende nuk është riparuar, pas dëmtimit që pësoi ditët e fundit nga moti i keq. Drejtori i OST-së, Ymer Balla, deklaroi në një konferencë për shtyp se nga mosfunksionimi i linjës, pati pasoja gjatë mbrëmjes së djeshme, në qytetin e Tiranës, Laçit dhe deri në Lezhë. Meqënëse linja e Shkodrës është stakuar, e gjithë zona veriore furnizohet nga nënstacioni 220 kV i Tiranës. Për këtë arsye mbrëmjen e djeshme, ka pasur mbingarkesë në nënstacionin eTiranës duke detyruar Operatorin e sistemit të transmetimit të të bëjë kufizime të vogla në furnizimin me energji në kryeqytet, Laç dhe Lezhë.
Lidhur me ndërprerjet e energjisë në Tiranë, drejtori i OST-së, Ymer Balla tha se "janë porositur grupet e drejtimit që të mos bëjnë manovrim me skemën, në mënyrë që hidrocentrali i Shkopetit të furnizojë me energji Veriun, ç'ka do të bëjë që kufizimet e energjisë në Tiranë të jenë mjaft të vogla. Nëse kjo nuk arrihet, kufizimet në kryeqytet do të jenë shumë të vogla, kryesisht në orët e pikut 18:00-20:00. Duke i alternuar në të gjithë qytetin, besoj se do të jenë të pandjeshme për qytetarët e Tiranës".
Si pasojë e motit të keq, u dëmtuan dhe disa linja të tjera të transmetimit, si linja Elbasan-Librazhd, por qyteti i Librazhdit, që mbeti një kohë të shkurtër pa energji, u furnizua nga qyteti i Korçës, tha Balla. Sipas tij, për shkak të defekteve në linjat nga ngricat dhe moti i keq, pati mbingarkesa dhe në linjat e tjera, ndaj për të evituar dëmtimet e mëtejshme, pati kufizime të pjesshme të energjisë në qytetet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit si dhe në jug të Shqipërisë.
Dëmtime pati dhe në linjat 110 kV kryesisht në zonat verilindore të vendit, ku si pasojë, mbeti pa energji elektrike qyteti i Lezhës. “ OST organizoi brigadat e riparimit të avarive, që konstatuan në terren këputjen në përcjellësin në linjën Laç-Vau i Dejës, ç'ka shkaktoi ndërprerjen e energjisë për 10 orë",- tha Balla.
(e.n/ Balkanweb )