OVL e UÇK-së: Mandatit ekzekutiv të EULEX-it i ka ardhur fundi

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një reagim kundër dënimit të “Grupit të Llapit” thekson se administrata ndërkombëtare, përmes mekanizmave të ashtuquajtura të drejtësisë, vazhdimisht organizoi komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë reagim thuhet se siguria dhe stabiliteti i një shteti varet nga domosdoshmëria e aplikimit dhe zbatimit të drejtë të drejtësisë dhe eliminimit të politikës nga puna e vendimet e gjyqësorit.
“Ky parim në ç’do shtet është i shenjtë, që nga kohërat më të lashta. Aty ku politika ndikohet, apo gjykatat janë nën trysninë e saj nuk kemi të bëjmë në asnjë mënyrë me zbatimin e normave ligjore – por me krijimin e precedentit juridik që është jo vetëm anakronizëm i zbatimit të drejtësisë dhe ligjeve por kjo krijon një praktikë tepër të fortë të dukurisë së arbitrarizmit dhe subjektivitetit të gjyqësorit”, thuhet në reagim.
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, shprehin shqetësimin, për vazhdimin e praktikave të UNMIK-ut në Kosovë nga ana e misionit EULEX.
“Dënimin e bashkëluftëtarëve tonë: Latif Gashi, Rrustem Mustafa e Nazif Mehmeti e konsiderojmë si proces të montuar dhe ndërtuar mbi deklaratat e rrejshme apo të nxjerra me trysni ose premtime nga organet e drejtësisë ndërkombëtare. Edhe pse e ashtuquajtura ‘drejtësi’ ndërkombëtare, mori vendim për fajësinë e tyre, ata dhe të gjithë bashkëluftëtarët, për ne dhe popullin janë heronj”, thuhet në reagim.
“Mandatit ekzekutiv të EULEX-it i ka ardhur fundi. Ne dërguam para ca ditësh një kërkesë tek deputetët e do presim dhe disa ditë se çfarë do të bëjnë ata që e ftuan këtë mision në Kosovë. Nëse kërkesa jonë do anashkalohet, apo për shkaqe të ndryshme deputetët do të jenë të paaftë të kryej punën e vet, nuk mbetet rrugë tjetër pos që mandatin ekzekutiv i EULEX-it ta ndërpresim me anë të formave të tjera konform Programit dhe Statutit të OVL të UÇK-së”, thuhet në komunikatë./Indeksonline/