"Oazet" anti-duhan të Tiranës
Bizneset që fituan mbi frikën e humbjes së klientelës duke krijuar mjediset "No smoking"
Në uniformitetin e hapësirave gri me tymnaja edhe erëkeqe duhani anekënd Shqipërisë, ka dhe disa vende, si me pikatore, ku çuditërisht e zbatojnë me dëshirë ligjin anti-duhan. Ndonjë e ka bërë këtë 'vetëgjyqësi' para se të futej në lojë ligji i ri pak më shumë se 3-vjeçar anti-duhan.
Ndonjë tjetër e ka pritur me kënaqësi ligjin, sepse në emër të tij ndihet edhe më i justifikuar përpara klientëve. Kompleksi 'Tajvan' te parku 'Rinia' në Tiranë ishte vendi i parë me frekuentim të madh publik, i cili konceptoi brenda funksionalitetit të tij një kënd ku do të ndalohej kategorikisht duhani.
E bëri këtë dy vjet përpara edhe miratimit në Itali të ligjit anti-duhan, e në një kohë kur tek ne një ligj i tillë dukej shumë vjet larg. "Në fillim na vinin pak njerëz, edhe sepse nuk e dinin. Por pak nga pak ky kënd mblodhi gjithë anti-duhanpirësit.
Ata janë edhe avokatë, punonjës të administratës shtetërore, familjarë. Kryesisht mosha të mesme dhe jo të rinjtë 20-30 vjeç, të cilët futen te duhanpirësit më të mëdhenj", shpjegon E. Plasa, menaxher i bar-pastiçerisë pa duhan brenda kompleksit. Sot ky ambient është nga më të frekuentuarit, por jo më pak të tilla janë edhe ato me duhan, të cilat në fakt janë më shumë, disa dhe jo vetëm një.
Një tjetër destinacion për anti-duhanpirësit "e thekur" është edhe "Buka dhe pastiçeria franceze" në Tiranë. "Tek ne mbushet më shumë pjesa pa duhan, se sa ajo me duhan, dhe e para është edhe më e madhe si hapësirë.", thotë Marie Marshall, francezja, që e ka vënë këtë rregull prej vitesh në pastiçerinë e saj. Edhe për këtë arsye aty mblidhen jo vetëm frankofonë e frankofilë, por njëherësh edhe sqimatarët anti-duhanpirës.
Afër Stacionit të Trenit është edhe një fast-food unikal ku lexohet: "Ata që duan të pijnë duhan më mirë të gjejnë vend tjetër'. Sa herë ulesh për të ngrënë aty, vërtet nuk gjen të ulur ndonjë duke pirë duhan.
Do kenë ikur diku tjetër.."Vetë pronari nuk e pi dhe nuk e duron dot duhanin. Dhe tani të gjithë klientët janë mësuar me këtë rregull", tregojnë punëtoret e fast-foodit. Por kjo nuk i ka bërë të dështojnë as në biznes. Aty rri plot e përplot, sepse më shumë se sa duhani edhe për duhanpirësit ka rëndësi cilësia e ushqimit. Prej andej mund të largohesh me nëj tjetër mbishkrim ëmbëlsues: "Faleminderit që nuk pini duhan!".
Edhe pse pak më në periferi, në Laprakë, rregullat ndodh të zbatohen aty më mirë se diku në qendër. Tek dera e një "Internet Kafe", djemtë e rinj antiduhanpirës të internetit kanë varur figurën e një qeni duke pirë duhan dhe poshtë figurës së tij: 'No smoking'. 'Që t'i sensibilizojmë duhanpirësit dhe t'i bëjmë të ndihen jo krenarë, i kemi krahasuar edhe me qenin", thotë pronari i internetit, Gentian Prenga.
Pak kohë më vonë aty varën edhe një tabelë elektronike me mbishkrimin:"Ndalohet duhani". "Së pari, nuk e duroj dot duhanin vetë, por e kam vënë këtë rregull edhe për ata që nuk e pinë. Nuk është e drejtë", thotë Prenga. Në fillim e patën të vështirë ta vini këtë rregull, por në kundërshtim nga protagonistët e zbatimit të ligjit që u tutën, ata nuk e bënë këtë. Nuk hoqën dorë dhe tani çdokush që hyn aty kur dëshiron del e pi jashtë një cigare dhe rikthehet.
Dhe pavarësisht këtij rregulli të rreptë, internetin atyre ua gjen gjithmonë plot. Por nuk e mbajti dot këtë rregull, edhe pse ishte ndër të parët që e vuri, një tjetër internet-kafe në zemër të ish-Bllokut.
"Top Net' ishte ndër të parët mjedise publike private që e ndaloi duhanin . "Por tani e lejuam përsëri, sepse na ra klientela", thotë një nga punonjësit aty. "Me këtë ligj ama po dhunohen të drejtat e duhanpirësve. Unë dua që duke punuar në internet të pi dhe duhan.
Pse mos ketë ambiente të veçanta edhe për ne?', shprehet një klient.
Kamarierët sa i pyet 'a ndalohet duhani këtu?' përgjigjen menjëherë të gatshëm me buzëqeshje: "po mo, mund ta pini" ose "nuk lejohet, por mund ta pini'. Nga frika se mos ai që sapo ka hyrë mos largohet. "E provuam ta zbatojmë ligjin anti-duhan, por na u larguan të gjithë klientët", thotë një kamarier.
Duhanpirësit janë një varg i pambarimtë dhe era është tejet e rëndë, në zyra publike apo biznese private joserioze, edhe pse në muret e tyre shkruhet se ndalohet duhani. Nuk pihet së paku në qendra mjekësore, autobusa dhe shkolla. Por një nga ambientet që nuk e kap ligji dhe që është më i rrezikshmi akoma, janë vendet e banimit.
Aty çdo gjë mbetet në kulturën individuale të prindërve dhe në ndërgjegjen e tyre. Ata më të kultuarit e pinë duhanin në dritare apo ballkon për të mos dëmtuar fëmijët. I cilësuar edhe si populli më duhanpirës i Evropës, Shqipëria plotëson ndotje të të gjitha niveleve; nga pluhurat e rrugëve, gazrat e makinave, edhe duhani. Dhe vuajtja për t'u përballuar edhe më e madhe. Dhe askush nuk të vjen në ndihmë...
Ligji anti-duhan, gjobat do të vilen nga Përmbarimi
Së fundi ka lëvizur diçka e re, të paktën teorikisht, duke shpresur që prej kësaj edhe praktikisht të nisë të ndryshojë diçka. Kryeinspektori Sanitar Shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, shpjegon se me një përmirësim ligjor gjobat e vëna për duhanin, tashmë do të vilen nga Përmbarimi.
'Më parë gjobat mblidheshin nga bashkitë dhe komunat. Por tani nëse subjekti nuk i derdh paratë brenda dy muajve, ku një muaj është me kamatë, atëherë gjithë dokumentacioni, fletëgjoba i kalon Përmbarimit.", thotë Bejtja për 'Shekulli'-n.
Dhe gjoba është 50 mijë lekë dhe nëse përsëritet bëhet 100 mijë lekë të reja. A do të ketë efekt ky ndryshim në këtë ligj mbi kundërvajtjet administrative si ajo e konsumimit të duhanit në ambiente të mbyllura publike? Bejtja përgjigjet se po. "Do të ketë efekt, por ende nuk janë mbushur 2 muaj nga koha e daljes së ligjit dhe kalimit të ndjekjes së këtyre shkeljeve në Përmbarim", thotë ai.
Në lidhje me gjobat, edhe pse duhan gjen ngado në një normalitet absolut dhe duket çudi që u vikërkan gjoba, Bejtja shpjegon se aktualisht vihen nga 70-80 gjoba në muaj në të gjithë Shqipërinë, por edhe këto pak gjoba nuk vilen, sepse deri më sot pagesa pak a shumë ka ngelur në dëshirën e qytetarit.
Ai thekson se jo vetëm Ministria, por edhe Policia Bashkiake duhet të angazhohet dhe mund të vërë gjoba njësoj. Nga ana tjetër, drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës, Zyhdi Dajti, e mohon këtë funksion të Policisë Bashkiake.
'Ne vetëm mbështesim institucionet e tjera", thotë ai. "Por mbi të gjitha do vullnet të madh të të gjitha faktorëve dhe ndërgjegjësim të popullsisë. Tek ne mungon kultura e duhur dhe duhanpirësit përbëjnë maxhorancë", thotë ai.
Duke nënkuptuar mungesën e koordinimit dhe bashkëpunimit të përhershëm institucional në këtë drejtim, duke u nënshtruar disi me hir apo me pahir ndaj një maxhorance popullore, qoftë edhe kur ajo mbart të keqe.
Dështimi i Ligjit Anti-Duhan
Ligj antiduhan është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në 17 maj 2007, si një detyrim ndaj Konventës për Kontrollin e Duhanit. Sipas kësaj Konvente, pirja e duhanit në ambiente publike dhe reklamimi i markave të cigareve është e ndaluar me ligj. Kjo do të thotë se në mjedise publike nuk duhet të pihet asnjë cigare dhe gjithashtu, fëmijët nën moshën 18 vjeç e kanë të ndaluar blerjen e cigareve. Por ligji deri më sot është zbatuar vetëm tek vënia e tabelave "Ndalohet duhani'.
Pas disa gjobave, pjesë e fushatës që u duk e ashpër fill pas miratimit të ligjit, duhani pihet masivisht ngado. Që nga vetë deputetët apo të tjerë drejtues të lartë të shtetit deri te nëpunësit më të vegjël, shpesh i gjen duke tymosur cigare ngado. Edhe paketa pa pullë madje, qetë pa pyetur veten apo ndonjë tjetër se nga është futur kjo paketë kontrabandë...
ISHP: Shqipëria, vendi i parë në Europë për duhanpirje.
Janë 895 mijë duhanpirës shqiptarë, më shumë se 265 mijë janë femra.
Një duhanpirës shqiptar konsumon mesatarisht 19.7 cigare në ditë.
Të gjithë shqiptarët së bashku shpenzojnë në ditë 1.4 milionë dollarë për duhan. Në vit rreth 400 milionë dollarë.