E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit: Ngarkesa është e njëjtë

Pas zyrtarizimit të planit mësimor mësuesit shprehen se ngarkesa është e njëjtë si një vit më parë
Plani mësimor / Për lëndë si matematika ose gjuha shqipe mësuesit propozojnë shkurtimin e planit me dy orë në javë


Në ndryshim nga vitet e fundit, publikimi zyrtar i planit mësimor të mësuesve të arsimit parauniversitar nuk ka ndeshur në kundërshtimet e stafeve pedagogjike. Për herë të parë gjatë kësaj kohe mësuesit kanë rënë dakord me orarin zyrtar të vendosur nga MASH, ndonëse kanë rezervat e tyre në disa pika. Për mësuesit e lëndëve "të vështira" ose që kanë ngarkesë në program, 20 orë mësimi në javë mund të realizohen ndonëse jo pa vështirësi. Kështu një jave mësimore për gjuhën shqipe do të ishte ideale nëse do të përmbante 18 orë dhe jo 20 sikundër parashikon programi. Sipas mësuesve të shkollave 9- vjeçare apo edhe të mesme në vendin tonë ekzistojnë shumë kushte teknike që vështirësojnë realizmin 100% të këtij programi, mes këtyre mësuesit rendisin mësimin me turne, mbingarkesën në klasa etj. Megjithatë dy orë më shumë apo dy orë më pak, mësuesit thonë se ndryshimi nuk është shumë i madh, dhe se programi realizohet edhe me këtë skemë.


Cikli fillor
Për mësuesit e ciklit fillor janë parashikuar 25 orë mësimi në javë. Të ndara këto në 21 orë mësimi bazë dhe katër orë punë të diferencuar me fëmijët. Për mësuesen e fillores Enkelejda Paja 25 orë mësimi në javë realizohen, ndonëse ekzistojnë një sërë faktorësh teknikë që pengojnë realizmin e këtyre orëve. "Janë lëndët kryesore që të marrin më shumë energji si matematika apo gjuha shqipe. Do të ishte mirë nëse një klase të kishte dy mësuese, por duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhen shkollat tona kjo është e pamundur" thotë ajo. Në këtë mënyrë mësuesit sforcohen për të plotësuar orët e mësimit si dhe orët që Drejtoria Arsimore u ka përcaktuar për t'iu ardhur në ndihmë nxënësve që kanë vështirësi.


Cikli 9-vjeçar
Në ciklin e lartë të arsimit bazë situata është më ndryshe. Mësues të lëndëve kryesore si matematika fizika, biologjia, kimia, informatika e gjuha e huaj duhet të realizojnë 22 orë mësimi në javë. Ndërsa mësuesit e gjuhës shqipe duhet të plotësojnë një program prej 20 orësh. Shqiponja, mësuese e gjuhës shqipe në shkollën 9-vjeçare "1 Maji" tregon se 20 orë gjuhë shqipe në një jave realizohen. "Orari nuk është i ngarkuar janë po të njëjtat orë që kanë qenë edhe një vit më parë. Mund të them se programi i para dy viteve ishte shumë i ngarkuar. Atëherë gjuha shqipe kishte 23 deri në 24 orë në javë. Tani ne kemi 20 orë gjithsej. Është e lodhshme por megjithatë mund të punohet" thotë ajo duke shpjeguar se gjuha shqipe është një lëndë që do përkushtim. "Gjuha shqipe ka të bëjë me krijimtarinë dhe duhet punuar me çdo nxënës individualisht. Pastaj është edhe numri i nxënësve në një klasë. Nëse klasa ka shumë nxënës është më e lodhshme. Idealja është 18 orë në javë, por në kushtet e shkollave tona nuk mund të realizohet" shpjegon mësuesja.


Edhe për arsimin e mesëm situata nuk ndryshon shumë. Për mësuesit e vjetër 20 orë mësimi tashmë janë bërë rutinë. "Kam që në vitet '70 që jap matematikë. Ngarkesa për mua ka qenë gjithmonë kjo" na thotë një mësues matematike në shkollën "Abdulla Keta". Gati tri vite më parë mësuesit e arsimit parauniversitar protestuan ndaj ndryshimit të normës arsimore, ku secilës lëndë iu shtuan tri ose katër orë më shumë në jave. Sipas argumenteve të mësuesve në atë kohë orët e mbingarkuara ishin të papërballueshme. Kjo bëri që edhe eksperimenti i MASH të dështonte duke rikthyer sërish programin e vjetër mësimor.


Për ciklin fillor 25 orë mësimi në javë realizohen, ndonëse ekzistojnë një sërë faktorësh teknikë që pengojnë realizmin e këtyre orëve

Mësuesit e ciklit të lartë të arsimit bazë thonë se tri vite më parë programi ishte më shumë i ngarkuar. Një mësues i gjuhës shqipe duhej të kryente 24 orë në javë, nga 20 që kryen aktualisht

Sipas mësuesve, norma ideale për lëndë të programit bazë do të ishte 18 orë mësimi në javë

Dekani ka reaguar pas deklaratës së studentëve se nuk do të frekuentojnë fakultetin as vitin tjetër


"Nga puna më heq vetëm ministri"

Pas ditësh të tëra proteste nga studentet e fakultetit të Mjekësisë, ku mes kërkesave të tyre ishte edhe largimi i drejtuesit të fakultetit vjen reagimi i dekanit Alfred Priftanji. Sipas dekanit të Mjekësisë, funksioni që ai mban vjen si rezultat i zgjedhjes nga stafi pedagogjik dhe vetë studentëve, por kompetencat për largimin e tij nga detyra e dekanit të fakultetit të Mjekësisë, i ka vetëm ministri i Arsimit. Priftanji në deklaratën e tij nuk ka preferuar të japë sqarime për pretendimin e studentëve ndaj mungesës së pedagogëve në orët e mësimit.


Studentët e fakultetit të Mjekësisë kanë deklaruar se nuk do të frekuentojnë më asnjë leksion apo orë tjetër mësimi, bojkot ky që, sipas tyre, do të shtrihet madje deri vitin e ardhshëm në rast se nuk do të merren masa për plotësimin e kërkesave nga ana e dekanatit. Sipas studentëve të viteve të fundit, dekani i fakultetit i ka sqaruar se nuk ka të dhëna për mosfunksionimin e orëve të mësimit, si dhe të gjitha akuzat që pretendojnë mjekët e ardhshëm. Megjithatë, gjithë komunikimi i zhvilluar mes dekanit dhe studentëve nuk është dokumentuar në asnjë shkresë zyrtare. Vetëm dy ditë më parë, një kërkesë e firmosur nga 700 studentë i është dërguar Ministrisë së Arsimit, rektorit të Universitetit të Tiranës, si dhe dekanit të Fakultetit të Mjekësisë.


Ndërkohë që në të njëjtën ditë përfaqësues të studentëve kanë arritur të takohen me rektorin Dhori Kule. Gjatë takimit, rektori i ka siguruar studentët se do të kenë mbështetjen maksimale të institucionit që ai drejton. "Studentët e Mjekësisë duhet të përgatisin në fund të viteve të shkollës një mikrotezë, ashtu siç bëjnë edhe studentët e fakulteteve të tjera. Nuk më duket normale që të testohen me shkrim për lëndë që tashmë janë vlerësuar gjatë viteve të shkollës", - u tha në takim rektori studentëve. Ai, madje, u ka bërë thirrje studentëve të ndërpresin bojkotin e mësimit, me bindjen e plotë se gjërat do të përmirësohen dhe kërkesat do të shqyrtohen me seriozitetin e duhur.


 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›