E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama-Clinton SHBA nuk do terhiqen nga misioni i tyre

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton kanë marrë pjesë në ceremoninë me rastin e kthimit të trupave të 4 amerikanëve të vrarë nga sulmet kundër konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë këtë javë. Ndërkohë vazhdojnë të ngrihen pikëpyetje rreth sigurisë në Libi dhe në misione të tjera diplomatike nëpër botë, ndërsa vazhdojnë protestat e nxitura nga një video e prodhuar në Shtetet e Bashkuara që vë në lojë profetin Muhammed. Presidenti Obama, zv/Presidenti Xho Bajden, Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe Sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta shkuan në bazën ajrore Endrjus në Merilend jo shumë larg Uashingtonit për të pritur trupat e ambasadorit amerikan, Kristofer Stivens, dhe 3 amerikanëve të tjerë, që u vranë në Libi. Presidenti Obama dhe Sekretarja Clinton qëndruan me kokën ulur ndërsa forca të marinës amerikane transportuan arkivolët e mbështjellë me flamurin amerikan nga një aeroplan ushtarak për në një hangar aeroplanësh, ku ishin mbledhur pjesëtarët e familjeve të të vrarëve dhe zyrtarë civilë e ushtarakë. Sekretarja Clinton foli e para, duke iu drejtuar familjeve dhe të pranishmëve të tjerë. "Chris bënte miq për Shtetet e Bashkuara edhe në vendet më të largëta, shpresat e këtyre njerzve u bënë shpresat e vetë Chris-it. Gjatë revolucionit në Libi ai rrezikoi jetën për të ndihmuar në mbrojtjen e popullit libian nga një tiran, madje ai dha jetën e tij duke i ndihmuar ata të ndërtonin një jetë më të mirë" është shprehur Klinton. Ajo tha se ditët në vijim do të jenë të vështira, por ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë "punën e gjatë e të vështirë të diplomacisë". "Popujt e Libisë, Egjiptit, Jemenit dhe Tunizisë, theksoi Sekretarja Clinton, nuk shkëmbyen tiraninë e një diktatori me tiraninë e një turme". Presidenti Obama, i ka përshkruar secilin prej 4 amerikanëve të vrarë si patriotë, që dhanë jetën për të mbrojtur amerikanët e tjerë dhe duke punuar për popujt e vendeve ku ata shërbenin. "Katër amerikanë, katër patriotë, ata e donin vendin e tyre dhe zgjodhën t’i shërbenin atij dhe i shërbyen më së miri. Ata kishin një mision dhe besonin në të. Ata i njihnin rreziqet dhe i pranuan ato. Ata nuk përqafuan thjesht idealin amerikan, ata e jetuan dhe e mishëruan atë". Obama tha se humbja e jetëve dhe imazhet e ditëve të fundit mund të kenë bërë që disa njerëz të vënë në pikëpyetje punën e diplomatëve nëpër botë, por ai shtoi se as që nuk duhet të diskutohet rreth angazhimit amerikan. Presidenti Obama dha urdhër për një rishqyrtim të situatës së sigurisë në misionet diplomatike. Ai njoftoi zyrtarisht Kongresin rreth dislokimit në Libi dhe në Jemen të forcave të sigurisë të armatosur rëndë derisa të stabilizohet gjendja e sigurisë në ato dy vende.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›