Obama: Raportet Kinë-SHBA, e mirë botërore

Presidenti amerikan Barak Obama gjatë takimit me nënpresidentin kinez Shi Jinping është shprehur se nga raportet e mira amerikano-kineze përfiton e tërë bota. Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë Obama theksoi rëndësinë e bilancit tregtar në mes të dy shteteve.
“Kina duhet të luajë `me rregullat` e ekonomisë globale dhe Uashingtoni do të vazhdojë të theksojë shqetësimet në lidhje me informacionet për të drejtat e njeriut në Kinë”, tha Obama, ndërsa ka shtuar se SHBA mirëpret përparimin e Kinës.
“Kam theksuar se ne e mirëpresim rritjen paqësore të Kinës, se ne besojmë se një Kinë e fuqishme dhe përparimtare mund të ndihmojë në sjelljen e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe në botë. Ne presim që të vazhdomë këtë rrugë bashkëpunimi të cilën jemi munduar ta ngremë në tri vjetët e kaluara”, tha Obama. Ai tha gjithashtu se SHBA do të “vazhdojë të theksojë se ne besojmë në rëndësinë e njohjes së aspiratave dhe të të drejtave për të gjithë njerëzit”.
Vizita e tij në Uashington është parë si një shans për të dhe Obamën që ta njohin njëri tjetrin dhe si një përpjekje e SHBA-së për të krijuar rrugë për bashkëpunimin në të ardhmen. Raportet mes dy shteteve shënuan mosdakortësi së fundi në lidhje me tregtinë, monedhën kombëtare, të drejtat e njeriut dhe synimet ushtarake. Në qendër të bisedimeve kanë qenë edhe Korea Veriore, Siria dhe Irani. Kina iu bashkua javën e kaluar Rusisë në përdorimin e vetos ndaj një rezolute kundër aksioneve të qeverisë siriane ndaj protestuesve.
Shi pritet të takohet edhe me sekretaren e shtetit Hillari Klinton.