Talebanët: Bisedime vetëm me SHBA-në

Talebanët hodhën poshtë zërat për mbajtjen e bisedimeve të paqes me qeverinë e presidentit Hamid Karzai, duke e quajtur këtë qeveri si “qeveri kukull, bisedimet me të cilën nuk do të sillnin asnjë përfitim”.
Përfaqësues të talebanëve u takuan me zyrtarët amerikanë të angazhuar në negociimin për bisedime paqeje mes militantëve dhe qeverisë së Karzait.
CNN thotë se zëdhënësi i talebanëve, Zabiullah Mujahid refuzoi këto bisedime duke shtuar më tej se nuk ka patur asnjë ftesë nga qeveria e Karzait për nisjen e bisedimeve në Arabinë Saudite.
“Ne nuk na ka mbërritur asnjë ftesë për bisedime me administratën e Karzait në Arabinë Saudite, por edhe sikur të na mbërrijë një ftesë e tillë ne nuk do ta pranojmë atë sepse qeveria e Karzait është një qeveri kukull dhe nuk ka autoritetin e e duhur. Për rrjedhojë bisedimet me të nuk do të ishin të frytshme në zgjidhjen e situatës”, ka deklaruar zëdhënësi i talebanëve në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike për CNN.
Talebanët kërkojnë bisedime të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara, pasi sipas tyre është Uashingtoni ai që merr vendimet kryesore dhe të rëndësishme për Afganistanin.