Merkel takim me al-Arabi: BE mbështet veprimet e ashpra ndaj Sirisë
Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Nabil al-Arabi, këtë të martë u takua në Berlin me kancelaren Angela Merkel. Ata folën për një veprim të ashpër kundër Sirisë. Bashkimi Evropian mbështet këtë qëndrim dhe do të ndërmarrë sanksione të mëtejshme, tha Merkel pas takimit. Në mënyrë të veçantë ata vunë në dukje rolin e Ligës Arabe si një rol kyç në këtë rajon. Ata u shprehën për një bashkëpunim të ngushtë të BE-së dhe Ligës lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në Siri. Gjermania më parë ishte shprehur në mbështetje të propozimeve të Ligës Arabe për dërgimin e një misioni paqësor në të cilin të marrin pjesë edhe ushtarë helmetkaltër të OKB-së. Por Siria e kishte hedhur poshtë kategorikisht këtë ide. Ambasadori i Sirisë në Kajro, Jussif Ahmed, fajësoi vendet e Gjirit Persik, Arabinë Saudite dhe Katarin për komplot ndaj Sirisë. Rusia ka premtuar të rishikojë këtë kërkesë të Ligës Arabe. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle i quajti këto kërkesa si një sinjal i fuqishëm për njerëzit në Siri.