E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Reforma në shëndetësi do të kryhet këtë vit

"Nuk mund të presim më", tha Obama në fillim të një konference shtypi që përbën pikën kulminante të përpjekjeve të tij këtë javë për të bindur parlamentarët të miratojnë  një projekt që ishte në thelb të fushatës së tij elektorale. "Ne do të miratojmë një reformë që ul kostot, duke inkurajuar lirinë e zgjedhjes dhe duke siguruar mbulim shëndetësor mbi të cilin mund të mbështeten amerikanët. Dhe do ta bëjmë këtë vit", tha Obama në deklaratat e tij hyrëse në këtë konferencë shtypi.

Presidenti përsëriti kritikat e tij kundrejt sistemit aktual shëndetësor, që i le 47 milionë amerikanë pa asnjë mbulim shëndetësor dhe kostoja e të cilit është dyfishuar në hapësirën e 10 vjetëve. "Nëse kjo tendencë do të zgjatet akoma, familje të tjera do të humbasin sigurimet shëndetësore", paralajmëroi ai. Presidenti sulmoi kompanitë e sigurimeve " që nxjerrin fitime rekord, ndërkohë që kuotizacionet rriten"'.

Reforma, një premtim i madh i fushatës së Obamës, ka ndeshur jo vetëm në kundërshtimin e  ashpër të rivalëve të tij republikanë, por gjithashtu në rezistencën e fortë të atyre që janë më konservatorët ndër miqtë e tij demokratë, të shqetësuar për koston e saj, ndërkohë që defiçiti buxhetor sapo i ka kaluar 1 000 miliardë dollarët. Obama siguroi se projekti nuk do të zbrazte akoma më tej arkën e shtetit, ndërkohë që financimi i reformës mbetet në thelb të debatit. 

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›