Obama: Së bashku me Papën, për paqe në Lindjen e Mesme
"Shpresoj se me Atin e Shenjtë do të jemi në gjendje të gjejmë tema në të cilat të kemi një bashëpunim të gjërë, për paqen në Lindjen e Mesme, luftën kundër varfërisë, ndryshimeve klimatike dhe emigracionin". Këto kanë qenë fjalët e rëndësishme të Presidentit amerikan Barak Obama për Avvenire dhe Radio Vatikanin. Presidenti Obama do të pritet për herë të parë nga Papa Benedikti XVI në përfundim të takimit të G8-ës, më 10 korrik. Obama po përgatit terrenin dhe ka folur për atë që bashkon SHBA-në dhe Selinë e Shenjtë, por pa fshehur pikat e dobëta në fushën e bioetikës. Dhe pikërisht për këtë temë Obama shprehu gjënë më domethënëse. "E kuptoj që ka njerëz që presin më të keqen nga unë për tema të caktuara, por është më shumë konceptuale se një pozicion i motivuar nga një linjë e fortë që do të kërkohej për t'u imponuar", tha Obama. Ashtu si në zgjedhjen e ambasadorit amerikan në Vatikan, teologut katolik Migel H. Diaz, Presidenti i SHBA-së tregon një inteligjencë të lartë në raportet me Selinë e Shenjtë dhe një aftësi për hedhjen e urave të bashkëpunimit. Në intervistën e dhënë, Obama garanton se SHBA-të kanë në program të dyfishojnë ndihmat për kombet e varfra dhe shpjegon se prioriteti i vendit të tij në takimin e G8-ës, është pikërisht nxitja edhe e vendeve të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë. Obama deklaroi se një temë me të cilën pret që të diskutojë me Papën është dhe ajo e zgjidhjes së cështjes së Palestinës dhe Izraelit, dy popuj, dy shtete.