E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama dhe Netanyahu takohen për të diskutuar mbi Iranin

Presidenti Barack Obama dhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu takohen sot në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mbi Iranin.  Ndoshta asnjë takim i mëparshëm midis Presidentit Obama dhe Kryeministrit Netanyahu nuk ka patur kaq shumë rëndësi se sa takimi i sotëm në Zyrën Ovale.

Pyetjet që shtrohen janë të shumta: Ndërkohë që sanksionet vazhdojnë të kenë pasoja ekonomike dhe të tjera mbi Iranin, a do të pranojë Izraeli t`i japë edhe një shans trysnisë dhe diplomacisë të funksionojnë?

Nëse Izraeli e sulmon Iranin, me apo pa mbështetjen amerikane, sa i dobishëm do të jetë ky veprim në ngadalësimin e zhvillimit të programit bërthamor të Iranit? Si do t`i përballonte bota pasojat negative të një konflikti të tillë?

Në një intervistë të kohëve të fundit me revistën The Atlantic, Presidenti Obama bëri thirrje që të tregohet kujdes ndaj çdo veprimi “të nxituar” nga ana e Izraelit, duke thënë se një gjë e tillë do t`i jepte mundësi Iranit të “paraqiste veten si një viktimë”.

Por ai tha se beson se qeveria izraelite e di që si President i Shteteve të Bashkuara ai nuk bën blof, kur bëhet fjalë për vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mos lejuar Iranin të zotërojë një armë bërthamore dhe ai përsëriti se mundësitë janë ende të hapura.

Colin Kahl, profesor në Fakultetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Georgetown tha se Izraeli do të bëjë çdo gjë të mundur për të ruajtur sigurinë e tij, por gjithashtu duhet të marrë në konsideratë pasojat për interesat amerikane, përfshi një kundërpërgjigje iraniane, çmimin e naftës si dhe rrezikun e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në një tjetër luftë.

“Aleancat punojnë në dy kahe. Ne nuk do t`i themi Izraelit se çfarë të bëjë, por ne shpresojmë që izraelitët të kenë parasysh edhe efektet që veprimet e tyre mund të kenë mbi interesat e Shteteve të Bashkuara, aleati i tyre më i afërt, ndërkohë që ata bëjnë këto përllogaritje mbi mundësitë e fillimit apo jo të një lufte” theksoi ai.

Shtëpia e Bardhë i ka qëndruar besnike një skenari të përgatitur me kujdes, i cili nxit mbështetjen ng ana e bashkësisë ndërkombëtare për sanksione më të ashpra se kurrë kundër sektorëve të financave dhe energjisë së Iranit duke theksuar nevojën për më tepër “kohë dhe hapësirë” për një zgjidhje nëpërmjet negociatave.

Në një fjalim të mbajtur në Otaua të Kanadasë, zoti Netanyahu tha se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të mashtrohet nga Irani, duke i lejuar atij të përdorë negociatat si një mjet për të fituar kohë për të ecur përpara me programin bërthamor.

Dalia Dassa Kaye, e firmës RAND, përmbledh atë që ajo e quan një dilemë kyçe me të cilën përballen Shtetet e Bashkuara.

“Shtetet e Bashkuara gjenden në një pozitë të vështirë, pasi pavarësisht nëse janë apo jo pjesë e një sulmi të mundshëm, perceptimi në rajon do të jetë se Amerika është e përfshirë nëse Izraeli sulmon”.

Një nga zyrtarët izraelitë në Uashington, në prag të bisedimeve Obama-Netanyahu në Uashington, është edhe Ministri i Brendshëm Ehud Barak, i cili bën pjesë në grupin e njerëzve që mendojnë se Izraelit mund t’i duhet të veprojë para se Irani të hyjë në “zonën e imunitetit”, kur qendrat e tij bërthamore nuk do të ishin më të cënueshme prej sulmeve parandaluese.

Në një artikull për gazetën New York Times, të enjten, ish shefi i zbulimit izraelit Amos Yadlin i kërkoi Presidentit Obama një “garanci të hekurt” që, nëse Izraeli tërhiqet prej veprimeve të tij të mundshme dhe nëse tentativat e tjera dështojnë, Shtetet e Bashkuara do të veprojnë për të mos lejuar që Irani të zotërojë një armë bërthamore.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›