Zgjedhjet në Iran, kundërshtarët e Ahmadinexhadit në avantazh

Kritikët konservatorë të presidentit iranian, Mahmud Ahmadinexhad, kanë shpallur fitore në zgjedhjet parlamentare, që u mbajtën të premten e kaluar.
Rezultatet përfundimtare pritet të bëhen publike gjatë ditës, ndërkohë që parlamenti i ri do të nisë punën në fund të muajit maj.
Suksesi i kandidatëve të udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamnej, thuhet të jetë reflektim i mbështetjes së madhe në Iran.
Sipas rezultateve paraprake në Teheran, kandidatët e Khamnejit janë përpara përfaqësuesve të Ahmadinexhadit.
Mediat shtetërore thonë se rezultatet janë bërë të ditura për më shumë se 200 vende nga 290 vende që ka Parlamenti.
Zgjedhjet e së premtes janë bojkotuar në masë të madhe nga reformatorët, liderët e të cilëve, Mir Husein Musavi dhe Mehdi Karubi, gjenden nën arrest shtëpiak prej më shumë se një viti.