E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama dhe zgjerimi i NATO-s

Shumë shtete kanë festuar fitoren presidenciale të Barak Obamës. Megjithatë, disa këtë fitore e shohin me drojë, për shkak të interesave të tyre kombëtare. Disa zyrtarë në Gjeorgji dhe Ukrainë e kanë parë Xhon Mekejnin si një aleat të fuqishëm për të shtyrë vendet e tyre drejt NATO-s, një kandidat i cili do të përballej me Rusinë dhe do mbështeste hyrjen e tyre të shpejtë në aleancën ushtarake të Perëndimit. Disa vëzhgues, megjithatë, sugjerojnë se stili i udhëheqjes se Obamës do të jetë përparësi për fqinjët post-sovjetikë.

Xhon Mekejn ka qenë një aleat i vendosur i Gjeorgjisë gjatë luftës së saj me Rusinë. Ndihmësit e tij kanë njoftuar se ai ka folur me Mikhail Sakashvilin çdo ditë gjatë konfliktit.

Mekejni ka qenë një avokat i anëtarësimit të Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO dhe një kritik i pamposhtur i Kremlinit. Ai ka argumentuar se Rusia duhet të largohet nga grupi i tetë vendeve më të industrializuara dhe madje ka thënë se planet amerikane për sistemin kundërthënës të mbrojtjes raketore ofrojnë mbrojtje jo vetëm ndaj shteteve si Irani dhe Koreja Veriore, por edhe nga Rusia.

Kështu që është lehtë të kuptohet se pse gjeorgjianët janë zhgënjyer këtë javë me humbjen e Mekejnit kundrejt Obamës.

"Unë kam qenë për Mekejnin, sepse ai ka favorizuar një politikë më rigoroze ndaj Rusisë", - thotë një banor i Tbilisit.

"Unë kam qenë i sigurt se Mekejni do të fitonte dhe e kam mbështetur atë. Ai ka qenë shumë i fortë në raportet me Rusinë", - thotë një gjeorgjian tjetër.

Që nga Revolucioni Rozë dhe i Portokalltë i fillimit të kësaj dekade, Gjeorgjia dhe Ukraina shpesh kanë kërkuar përkrahjen e Shtëpisë së Bardhë, në përpjekjet e tyre për t'u larguar nga vatha ruse drejt Perëndimit.

Presidenti në largim, Xhorxh Bush, ka lobuar për hyrjen e Tbilisit dhe Kievit në NATO, pavarësisht armiqësive në rritje të Moskës dhe dyshimeve evropiane.

Kritikët thonë se edhe Bushi, edhe Mekejni kanë mbivlerësuar progresin demokratik në këto vende dhe kanë mbyllur njërin sy kundrejt shkeljeve dhe gabimeve të zyrtarëve në Ukrainë dhe Gjeorgji.

Këtu nënvizohet përdorimi i gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës nga Gjeorgjia tash një vit për të shpërndarë një protestë antiqeveritare. Ky incident bëri që shtetet skeptike të NATO-s të ngrenë zërin kundër anëtarësimit të shpejtë të Tbilisit.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s do rishikojnë ofrimin e planit për veprim të anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në muajin dhjetor, por duket se nuk do arrihet pajtimi.

Por, Linkoln Miçëll, profesor për politikanët ndërkombëtarë në Universitetin Kolumbia të Nju Jorkut, thotë se besimi i Uashingtonit te Gjeorgjia mbetet i palëkundur.

"Gjeorgjia është në gjysmë të rrugës për në NATO. Ajo që është arritur nën administratën e Bushit, ka qenë mesazhi: “Bëtë zgjedhje të këqija? Ne ju mbulojmë. Morët vendim të pamend dhe u tërhoqët nga lufta me Rusinë? Ja ku i keni miliarda dollarë, mos u brengosni. Vazhdoni të shtypni mediat dhe liritë civile? Në rregull është", - shprehet Miçëll, për të shtuar se ky mesazh ka mbajtur lidhje të ngrohta SHBA-Gjeorgji, por ka helmuar raportet e Tbilisit me vendet evropiane, të cilat i kërkojnë Sakashvilit standarde më demokratike.

Ombudspersoni i Gjeorgjisë, që ka kritikuar shpesh sjelljet e Sakashvilit, shpreson se administrata e re e Obamës do ta kthejë fokusin te qeverisja brenda vendit.

"Ajo që pres nga Obama është që për dallim nga Mekejni, të përkrahë më shumë demokracinë në Gjeorgji. Shpresoj që të vazhdojë përkrahja e deritashme, por vëmendja të vihet më tepër te demokracia brenda Gjeorgjisë", - thotë Sozar Subari.

Edhe rruga e Ukrainës në NATO është pothuaj e njëjtë me atë të Gjeorgjisë.

Derisa vendi është lavdëruar për zgjedhje dhe media të lira, që nga Revolucioni i Portokalltë, lufta e egër politike dhe lojaliteti mes Rusisë e Perëndimit kanë mbajtur këtë vend në stagnim.

Ish-ambasadori ukrainas në Uashington, Juri Sherbak, është i shqetësuar se humbja e Mekejnit nënkupton humbje të protektoratit të fuqishëm dhe se Obama do të mundohet të akomodojë Moskën në kurriz të shteteve si Ukraina.

"Kam përshtypjen se Obama do të mbajë një politikë tradicionale demokratike. Kjo nënkupton se Rusia do të vihet në plan të parë. Mendoj se perspektiva jonë nën qeverinë e Obamës do të jetë e vështirë. Nuk e dimë se deri në ç'masë Obama do jetë i gatshëm të mbrojë sovranitetin e Ukrainës", - thotë Sherbak.

Obama ka pranuar se rishfaqja e Rusisë është një nga çështjet e mëdha, me të cilat do të përballet administrata e re.

Shumë brengosen se pragmatizmi i Obamës dhe stili i tij për të arritur konsensus mund të dëshmojë humbje të taktikës në raport me mburrjen e Kremlinit, gjesti i parë i të cilit pas zgjedhjeve në Amerikë nuk ishte urimi, por kërcënimi për vendosjen e raketave.

Por, të tjerët thonë se kokëfortësia e Mekejnit do të mund të rrezikonte raportet me Rusinë.

Ndryshe, në një numër të deklaratave politike para zgjedhjeve, Obama ka nënvizuar përkrahjen për hyrjen e Kievit dhe Tbilisit në NATO.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›