E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më shumë operatorë të vegjël në treg, pas privatizimit të OSSH-së

Pas privatizimit të OSSH-së, tregu i energjisë do të vetërregullohet, pasi në të do të operojnë shoqëri të vogla, të cilat do të licencohen nga ERE. Energjia tashmë do të ketë tregun e saj të shumicës dhe atë të pakicës, i përbërë nga operatorë të tjerë veç OSSH-së dhe OST-së. Rritjes së konkurrencës në tregun e energjisë elektrike dhe liberalizimit të këtij tregu do t’i shërbenin disa rekomandime, që ka miratuar Autoriteti i Konkurrencës. Komisioni ka vendosur që liberalizmi të realizohet edhe “de facto”, për të krijuar mundësinë e më shumë se një zgjedhjeje të burimit të furnizimit, fillimisht për klientët jotariforë dhe më pas edhe për klientët dhe konsumatorët tariforë. Krijimit të mundësisë së furnizimit nga më shumë se një burim i energjisë dhe përdorimi i rrjeteve të transmetimit dhe shpërndarjes, furnizimit me shumicë dhe/ose pakicë deri te konsumatori tarifor, sipas pagesave përkatëse të rregulluara nga ERE. Pas privatizimit të Operatorit të Sistemit Shpërndarjes, ERE-s i rekomandohet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për liberalizimin e mëtejshëm të tregut nëpërmjet licencimit të ndërmjetësve të tregut. Transmetimi dhe operimi i sistemit vazhdojnë të mbeten monopole. Ndërsa për sa u përket shërbimeve të prodhimit, shpërndarjes dhe furnizimit në strukturën e konkurrencës në tregun e pakicës, vërehet se ato ofrohen nga shumë aktorë tregu. Ndërsa e reja e konkurrencës në tregun e pakicës është futja në strukturë e ndërmjetësve, për të krijuar tregun e shumicës. Miratimi i tarifave të tregtimit të energjisë elektrike duhet bërë në mënyrë të balancuar dhe pa diskriminime, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt kostos mesatare të ponderuar të ofertës së energjisë, duke marrë në konsideratë si koston mesatare të importit ashtu dhe prodhimit. ERE-s i rekomandohet që të shkrijë dy metodikat e shitje-blerjes së energjisë elektrike mes prodhuesve të vegjël të energjisë elektrike dhe Furnizuesit Publik me Pakicë (Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes) në një të vetme, duke përcaktuar një metodikë që merr për bazë kostot e investimit dhe të monitorojë furnizuesit me shumicë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes që të marrin të gjitha masat për të përmbushur detyrimet e kontratës së shit-blerjes së energjisë elektrike të lidhur me prodhuesit e vegjël. Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë OST sh.a. dhe OSSH sh.a., që për çdo rast të sigurojë aksesin në rrjet të të gjithë konsumatorëve në përputhje me rregullat e sjelljes së operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg. Autoriteti i Konkurrencës do të ndjekë me vëmendje zhvillimet e mëtejshme në këtë treg në drejtim të rritjes e mbrojtjes së konkurrencës së lirë dhe efektive.

Olldashi: Plani për ndërtimin e vijës bregdetare të Jugut përcakton kritere dhe standarde

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, u shpreh dje në seancën plenare të radhës se plani për vijën bregdetare të Jugut përcakton qartë kriteret dhe standardet për zhvillimin e kësaj zone. "Zhvillimi i vijës bregdetare të Jugut është i financuar dhe i monitoruar nga Banka Botërore", - deklaroi Olldashi, duke shtuar njëkohësisht se "ky është i vetmi model plani që përcakton kriteret për zonat ku nuk mund të ndërtohet për arsye se ajo zonë mund të jetë zonë arkeologjike, për shkak të pjerrësisë, për arsye se është zonë pyjore, apo për shkak të përbërjes gjeologjike".

Kreu i MPPTT-së theksoi se këto kritere të vendosura tregojnë se ku mund të zhvillohet bregu jugor i vendit. "Mbi këto zona që ky plan përcakton do të jenë njësitë vendore, komunat dhe bashkitë në të gjithë zonën bregdetare të Jonit që do të hartojnë planin e zhvillimit konkret", - vijoi Olldashi. Sipas z. Olldashi, ajo që ne kemi përcaktuar janë vetëm kriteret, ndërsa shtoi se "mënyrën katet dhe formën do ta përcaktojnë njësitë e qeverisjes vendore, duke filluar nga Bashkia e Himarës deri te Komuna e Lukovës".

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›