E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të prezantohet e bashkuar BE-ja në samitin botëror të ekonomisë?

Edhe pse brenda BE-së ka një mendim të përbashkët lidhur me përmasat e rregullimit nga shteti dhe se sa politik duhet të jetë ky rregullim, në samit do të ndihet që BE-ja s'është një shtet federal me politikë unike.

Sa e bashkuar do të prezantohet BE-ja në samitin botëror të ekonomisë? Dhe çfarë do të thotë unitet? Një gjë do të ndihet qartë, që BE-ja nuk është një shtet federal me një politikë unike federale, por një lidhje shtetesh.

Presidenti francez dhe aktualisht kryetar i Këshillit presidencial të BE-së, Nikola Sarkozi, pas samitit të javës së shkuar të BE-së e formuloi kështu: “Të gjithë janë dakord, që është detyrimisht e nevojshme, që në Evropë në politikën ekonomike duhet të ketë koordinim. Koordinimi nuk do të thotë, që të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë, sepse gjendja jonë nuk është e njëjtë për të gjithë, por të gjithë duhet të ndjekim të njëjtin drejtim. Ky drejtim është vullneti i 27 shteteve. Ky është një vendim, që kemi marrë ne sot".

Por kjo ka të bëjë me vendimet brenda BE-së. Ndërsa tani kemi të bëjmë me kërkesat e aktorëve të tjerë të politikës botërore. Konkretisht, kryetarët e shteteve dhe të qeverive, institucionet financiare dhe tregjet si dhe agjencitë e bonitetit në të gjithë botën duan të rregullohen ose të paktën të mbikëqyren.

FMN-ja (Fondi Monetar Ndërkombëtar) duhet të luajë një rol më të fuqishëm edhe sa u përket sistemeve të paralajmërimit për krizat e ardhshme financiare. Menaxherëve duhet t´u hiqet joshja për fitime afatshkurtra dhe ata duhet të përqendrohen tek zhvillimet afatgjata. Synohet që në përgjithësi të kufizohet risku. Përveç kësaj, 100 ditë pas samitit do të zhvillohet një konferencë pasuese për të nxjerrë bilancin.

Brenda BE-së ka një mendim të përbashkët lidhur me përmasat e rregullimit nga shteti ië çështjes, se sa politik duhet të jetë ky rregullim. Sarkozi preferon ta quajë atë një rregullim evropian i ekonomisë në vendet e euros, gjë për të cilën shumë mendojnë se nuk ka erë socializëm, por më tepër përjashtim të vendeve që nuk i përkasin zonës së euros.

Për Kancelaren gjermane Anxhela Merkel, kjo është lojë fjalësh: “Ju mund të thoni se bashkëpunimi ekonomik i kryetarëve të shteteve dhe qeverive në këshill është një forum që u kushtohet çështjeve ekonomike e le ta quajmë po të doni edhe një qeveri ekonomike. Por çështja është, që ky forum i përfshin të 27 vendet anëtare e për këtë s'ka pasur asnjë diskutim".

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›