E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji 7501, “gabimi” që ka bllokuar zhvillimin e vendit

I nderuar zoti Kryeministër! Para së gjithash, Ju uroj shëndet të plotë dhe suksese në detyrën e Kryeministrit për interesin e kombit dhe të popullit tonë!

Si specialist i ekonomisë dhe veçanërisht i bujqësisë dhe i fshatit tonë, që mbi 5 dekada kam shkrirë gjithë dijen dhe energjinë time dhe jo pa efektivitet, gjej rastin të sjell në vëmendjen Tuaj disa probleme thelbësore në këtë fushë, të cilat, të gjitha qeveritë paskomuniste i kanë trajtuar krejtësisht së prapthi dhe me pasoja katastrofike për to në veçanti, dhe për vendin në tërësi.

Dua të theksoj problemin më madhor, të pazgjidhur drejt, i cili mban peng zhvillimin e vendit dhe në stres gati të gjithë qytetarët e tij, të drejtën e pronësisë mbi tokën.

Sikurse njihet, pronësia mbi tokën mbas çlirimit të vendit, më 1944, dhe para Reformës Agrare-komuniste, ishte:

-Pronësia e fshatarësisë............237.668 hektarë tokë.

-Pronësia e shtetit...................... 50.000 ;; ;;

-Prona e latifondistëve.......... 14.554 ;; ;;

-E pronarëve të mëdhenj....... 91.133 ;; ;;

-Gjithsej...................................399.355 hektarë tokë.

Kurse në vitin 1991, kur shteti komunist dorëzoi armët, ajo ishte rritur në 700.000 hektarë tokë, pra gati dyfish, ndërkohë që ishte bërë pronë e shtetit komunist, por dokumentet kadastrale të pronësisë kishin mbetur të paprekura, siç ishin më 1944, edhe më 1990. Këtë tregues të rëndësishëm për menaxhimin e drejtë të problemit, unë e di mirë sepse kam pasur rastin të kontribuoj për të.

Gjithashtu, Kushtetuta komuniste e vitit 1976 që e bëri tokën pronë të shtetit, ishte mishërim i dekretit nr. 1 të Leninit që nacionalizoi tokën e Rusisë menjëherë pas Revolucionit të Tetorit, gjë që Enver Hoxha nuk guxoi ta bënte menjëherë pas çlirimit, sepse nuk do ta pranonte fshatarësia, por e bëri më 1976, kohë kur kushtet kishin ndryshuar në favor të tij. Mirëpo, dihet se elementi më kryesor që ndikoi në hartimin e Kushtetutës komuniste, ishte pikërisht toka, mjeti kryesor i prodhimit që “lindte çdo orë e çast kapitalizmin, armikun e socializmit”. Fshatarësia jonë që ia pa hairin socializmit, kërkonte pikërisht kapitalizmin, tokën e saj të shtetëzuar, aty ku ia morën dhe aq sa kishte. Por shteti i ri demokratik që u krijua tek ne më 1991, kërkesën dhe obligimin ndaj fshatarësisë nuk e plotësoi, por bëri të kundërtën. Mori pozicionin antiligjor dhe arbitrar duke zëvendësuar shtetin komunist si pronar i tokave të tyre, pa qenë aspak i tillë.

Ky është gabimi i parë, i rëndë i shtetit tonë demokratik për ketë problem themelor. Pronar i ligjshëm, ai, shteti, ishte vetëm për tokat në pronësi të tij, të cilat ishin të shumta dhe më të mirat e vendit. Këto prona duhet të menaxhoheshin nga shteti në nivel të lartë; të studiohej me përgjegjësi destinacioni i tyre në perspektivë, sepse kishte edhe për të privatizuar, edhe për nevojat e shtetit... gjë që nuk ndodhi. Por sidoqoftë, edhe ligji i ri për kontrollin e titujve të pronësisë është i domosdoshëm për ato toka, mbasi askush tjetër veç organeve përkatëse të shtetit, pronar i tyre ose ish-pronar, nuk ka të drejtë ligjore të kryejë atë detyrë dhe të zbulojë korrupsionin dhe grabitjet që janë bërë në to. Por ndërkohë, edhe tokat e ish-latifondistëve dhe pronarëve të mëdhenj, të cilët me reformën komuniste të pasçlirimit, u kaluan në pronësi ish-bujqve të tyre, e kërkojnë këtë verifikim, si për të saktësuar zbatimin e ligjit që korrigjoi ekstremizmin e reformës komuniste e cila i la pa gjë të zotët e pronës, por edhe për të zbuluar korrupsionin e grabitjet që janë bërë në këto prona. Kurse verifikimi i titujve të pronësisë në tokat e fshatarësisë që u shpërndanë si dhuratë, ishte thjesht një tymnajë qesharake trevjeçare për të humbur përfundimisht gjurmët e krimit të rëndë.

Gabimi i dytë, jo më pak i rëndë, antiligjor, antidemokratik dhe antizakonor për tokat e fshatarësisë, qëndron në trajtimin e tyre me dy standarde. Tokat troje, më vonë dhe kullotat, livadhet e pyjet, u kaluan të zotëve, kurse tokat bujqësore, pa asnjë bazë ligjore, nuk iu ndanë të zotëve, por pronarëve të shpikur anonimë si dhuratë e shtetit, i cili nuk ishte pronar i tyre. Ky qëndrim amatoresk, vetëm për interesa të ngushta politike, tregon për nënvleftësimin dhe më pas edhe për braktisjen e fshatarësisë nga shteti.

Gabimi i tretë i shtetit në kurriz të fshatarësisë qëndron në kryerjen e reformës, vetëm për tokën bujqësore të saj. Ajo ishte një ndërhyrje e dhunshme në punët e brendshme të komuniteteve fshatare dhe duke prodhuar konfrontime sociale në përmasa tragjike dhe më keq akoma në trungjet familjare, duke i diskriminuar, përçarë e armiqësuar me njëri-tjetrin. Kjo “reformë”, në përmbajtjen e saj ishte jo vetëm antidemokratike dhe antiligjore, por edhe një pabesi e shtetit për fshatarësinë, e cila priste mbështetje e drejtësi për të përmirësuar jetesën e saj dhe gjeti veç pragje të pakapërcyeshme, demagogji dhe braktisje të plotë nga shteti.

Së katërti, e papritura dhe e pabesueshmja e madhe që doli në shesh në kuadrin e realizimit të reformës vetëm për tokën bujqësore të fshatarësisë, ishte vendimi që u mor për ta realizuar atë me një ligj 100% komunist, ligjin famëkeq numër 7501, datë 19.7.1991. Me këtë “zgjidhje” shteti i ri iu kundërvu hapur fshatarësisë, e cila mezi e priste kalimin në kapitalizëm, kalim që akoma edhe sot pas 17-18 vjetësh drita jeshile për të nuk duket hiç e qartë, por mjegulluese.

Së pesti, e keqja u thellua më tej me përmbajtjen e neni 8 të ligjit komunist që ndaloi dhe mohoi marrjen e tokës që do t’i “dhuronte” shteti fshatarit në pronat e trashëguara nga të parët e tij. Kjo u bë për të humbur gjurmët e pronësisë dhe korrupsioni e grabitja të kishin fushë të lirë veprimi, të zhdukej historia e pronësisë dhe të rritej mirënjohja dhe besnikëria e fshatarësisë ndaj “dhuruesit pushtet” të tokës.

Rezultati i parë i zgjidhjes së keqe të kësaj çështjeje të pronësisë mbi tokën është dështimi i plotë i ligjit 7501, megjithëse iu vunë shumë “furka” për ta mbajtur me çdo kusht më këmbë me disa ligje satelite. Shpjegimi i disfatës është shumë i thjeshtë. Si ligj komunist, ai do të kishte sukses po të funksiononte diktatura e proletariatit, e cila do të lante hesapet me grabitësit e parë të tokave, duke i kaluar në litar ose pushkatim dhe të tjerët do të qëndronin sus, vetëm duke soditur tokat turistike dhe ato rreth qyteteve. Kurse sistemi demokratik që erdhi tek ne, pa dyshim la nam duke u hapur portat hajdutëve me kollare, të cilët grabitën e zhvatën pa frikë tokat e dhuruara nga shteti dhe të mbrojtur prej ligjit komunist 7501.

Dëshmi tjetër e dështimit të ligjit komunist është fakti që mbasi edhe tani pas 18 vjetësh, vetëm një numër shumë i vogël fermash kanë hyrë në rrugën e ekonomisë së tregut të lirë, ndërsa pjesa dërrmuese e tyre funksionon si ekonomi natyrale, sa për vete, kurse kategoria e tretë e tyre, jo e vogël, që quhen fermerë, në fakt janë hiç-fermë sepse jetojnë me transfertat e emigrantëve dhe me ndihma të tjera sociale ose merren me trafiqe e kontrabandë. Pikërisht pse ekziston kjo gjendje e rëndë si më sipër, propozohet reforma e re gjithëpërfshirëse.

Do të doja të shtoja edhe diçka për bregdetin Vlorë-Sarandë.

Si ekspert i kësaj fushe dhe si qytetar, e quaj padrejtësi dhe fatkeqësi të madhe moskthimin e pronësisë mbi tokën bujqësore tek trashëgimtaret në shkallë vendi. Por sido që të ndodhë në tërësi, për bregdetin, kthimi është një nevojë e padiskutueshme. Kjo, jo për t’u bërë atyre privilegj të pamerituar, por për veçoritë dhe meritat e veçanta që ekzistojnë, të cilat janë të shumta.

1. Tokat e bregdetasve janë shumë të bukura dhe me vlerë të lartë monetare. Por ky fat apo shans, u ka rënë të zotëve që e kanë trashëguar dhe jo “barbarëve modernë” që kërkojnë të bëhen pronarë me grabitje e korrupsion dhe jashtë ligjeve të ekonomisë së tregut të lirë; kërkesës dhe ofertës, që funksionon në këtë treg.

2. Tokat e bregdetit, mes maleve dhe detit, kanë qenë në të gjitha epokat të lakmueshme nga pushtuesit e shumtë, por ata kurrë nuk arritën ta bënin të tyren. Kjo meritë e veçantë historike është bërë traditë e shenjtë tek bregasit, prandaj çdo tentativë për t’i grabitur ato, është e destinuar të dështojë.

3. Në bregdet, ndryshe nga të gjitha zonat e tjera të vendit, nuk ka tokë bujqësore arë, e cila përben fondin kryesor dhe më të rëndësishëm të vendit për prodhimet bazë.

4. Në bregdet ka vetëm toka bujqësore të zëna me ullirin, më pak me agrume, drufrutoret e tjera. Këto toka janë krijuar në shekuj me punë titanike të stërmundimshme në tarraca dhe mikrobahçe nga shumë breza. Është kjo arsyeja që ato janë të shtrenjta e të shenjta dhe të paprekshme edhe për brezat e sotshëm.

5. Në bregdet, nuk ka pasur dhe nuk ka pronarë të mëdhenj tokash, prandaj nuk ka vend për reformë. Kjo, mbasi edhe pronarët, veç tokës së tyre, nuk kërkojnë asgjë më shumë, se pronën e tjetrit e quajnë haram.

6. Tokat e bregdetit me ligj dhe Vendim të KM-së, janë destinuar për zhvillimin e turizmit. Tani ngelet që me një dispozitë tjetër, të zgjidhen dy çështje që e pengojnë zhvillimin normal të turizmit si dhe të sektorëve të tjerë në përgjithësi. Ato janë:

-Të bëhet i paprekshëm ulliri me rregulla dhe sanksione të nivelit që meriton,

sepse sot është degraduar dhe zhvleftësuar deri në atë masë, sa pritet dega për ta vjelë në tokë, për të ushqyer bagëtinë apo për dru zjarri. Krim i rëndë!

-Tokat bujqësore që figurojnë sot në bregdet, duke qenë se tokë arë nuk ka si dhe drufrutorët i dominon ulliri që do të mbrohet me fanatizëm, ato që ngelen janë troje që do t’i shërbejnë industrisë së turizmit. Pra për ketë ato duhet të hiqen nga kategoria “toka bujqësore” dhe të kalojnë në troje turistike. Me këtë zgjidhje normale të problemit, ligji komunist shkatërrimtar për vendin në bregdet del jashtë loje pa e shfuqizuar atë me dispozitë të veçantë ligjore dhe duke mos lënduar aspak mbështetësit e tij.

7. Kthimi i tokave në bregdet tek trashëgimtaret e tij, sot përbën një domosdoshmëri absolute për të fituar kohën e humbur në zhvillimin e turizmit dhe degëve të tjera të nevojshme. Kjo, jo vetëm në interes të të zotëve të tokave, por në interes të të gjithë vendit.

8. Strukturat përkatëse të shtetit të ngarkohen me ligj për të mbështetur pronarët dhe për të menaxhuar kthimin e zonës në një perlë të vërtetë me turizmin e saj elitar dhe konkurrues.

9. Të hiqet dorë nga prapaskenat e turpshme e kriminale për zhvillimin në bregdet të turizmit anonim pa të zotët e vendit. Raste të kësaj natyre duhet të dënohen rëndë.

10. Tokat e kategorive të tjera të zonës, kryesisht kullotat, fushat dhe pak pyje, kanë qenë në shekuj me pronarë vendas, individualë apo dhe kolektivë, dhe të askujt tjetër. Prandaj pretendimi për pronësi të shtetit nuk mund të vërtetohet kurrë, përjashtuar aksidentin 15-vjeçar të funksionimit të Kushtetutës komuniste (1976-1990) .

11. Përfundimisht; është në interes jo vetëm të zonës, por të gjithë vendit në tërësi, që bregdeti të lulëzohet për të gëzuar të gjithë shqiptarët dhe të mos e lejojmë të bëhet vendi i larjes së hesapeve midis të zotëve të vendit dhe pushtuesve mafiozë, një Sicili shqiptare.

Dr. Polo Çakalli

*Pjesë nga promemoria drejtuar Kryeministrit Sali Berisha

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›