E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dikush i kishte dhënë garanci se nuk do të prekej

Një kushëri i afërm i 50-vjeçarit Kosta Trebicka, gjatë një interviste të dhënë për Korrierin u shpreh se viktima ishte shfaqur shumë i qetë muajin e fundit. Por mister mbetet fakti se ai nuk nisej kurrë i vetëm për në gjueti

TIRANË - “Kosta ishte shumë i qetë muajin e fundit. Pas kërcënimeve që kishte marrë pas denoncimit, ndryshoi komplet. Nuk kishte më asnjë merak”. Ka qenë një familjar shumë i afërt me viktimën, Edmond Shkembi., afro 45 vjeç, i cili u është përgjigjur disa pyetjeve në lidhje me ngjarjen. Gjatë rrëfimit të tij ai nxjerr në dritë detaje të reja në lidhje me tragjedinë e familjes së tij. Kushëriri i personit që denoncoi i pari aferën korruptive me tregtinë e armëve, pranon se 50-vjeçari Trebicka ka marrë kërcënime, por muajin e fundit ai është shfaqur shumë i qetë dhe pa preokupime. Por ajo çka mbetet mister, është fakti se Trebicka nuk shkonte kurrë i pashoqëruar për gjueti, të cilën e kishte pasionin më të madh në jetë. Djali i cili e shoqëronte, që luante rolin e shoferit dhe truprojës njëkohësisht, duket se nuk është thirrur nga padroni kësaj here.

-Si e mësuat vdekjen e të afërmit tuaj? 

“Nga televizori. Mbeta i shokuar”.

-Mendoni se është aksident, ashtu siç e deklaroi edhe policia, apo keni dyshime se mund të bëhet fjalë për ndonjë vrasje të mundshme në formën e aksidentit?

“Nuk kam asnjë dyshim. Nuk di çfarë të them”.

-Ju nuk keni asnjë në dyshim në lidhje me ngjarjen?

“Normale që kam dyshimet e mia, edhe nëse s’mund të them nëse ishte vrasje apo aksident”.

-Cilët janë dyshimet tuaja? Mund të na i thoni?

“Kosta nuk nisej kurrë vetëm për gjueti. Merrte gjithmonë me vete atë djalin që e kishte shofer. Kësaj here nuk e mori. U nis i vetëm”.

-Kishte lajmëruar para se të nisej?

“Jo. Edhe ky fakt është një tjetër mister. Ai gjithmonë i parashikonte dy ose tri ditë para udhëtimet e tij, sidomos planet që bënte për të shkuar në gjueti”.

-Po thoni që ai u nis në momentet e fundit?

“Po, po. Nuk ka lajmëruar fare kur është nisur”.

-Ka marrë ndonjë telefonatë?

“Mesa di unë, më duket se e ka telefonuar dikush”.

-Dini të na thoni se kush ia ka bërë këtë telefonatë?

“Unë nuk jam hetues. Atë gjë do ta zbulojë prokuroria”.

-Kishte marrë kërcënime pas denoncimit të skandalit të tregtisë së armëve?

“Sigurisht që po. I pati bërë publike në media edhe kërcënimet që kishte marrë”.

-Atëherë, si është e mundur që pas kërcënimeve të udhëtonte fillikat drejt një vendi të largët, siç është Korça?

“Muajin e fundit ishte shumë i qetë dhe dilte lirshëm”.

-Kishte marrë ndonjë garanci se nuk do të prekej?

“Përderisa kishte atë lloj qetësie, dikush duhet t’i ketë dhënë ndonjë garanci”.

-Ishte marrë nën mbrojtje?

“Këtë nuk di ta them. Nuk ma merr mendja se ishte marrë në mbrojtje”.

Ndryshe nga deklarata e të afërmit të tij, miku i ngushtë i Kosta Trebickës, Halil Vraja, deklaroi se, që pas Gërdecit, ai ndihej gjithmonë i kërcënuar dhe i frikësuar. Por i njëjti dyshim pohohet edhe nga Vraja, që miku i tij Trebicka nuk dilte kurrë vetëm për gjueti.

Ai ka pohuar se shoqërohej nga truproja dhe miqtë, sidomos pas skandalit të armëve që pati bërë publik më 20 mars, vetëm pesë ditë pas tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona. Në deklaratën e tij, miku i ngushtë i viktimës ka theksuar faktin se e pati këshilluar të largohej pas kërcënimeve që merrte pothuajse çdo ditë.

-Ndihej i kërcënuar Trebicka?

“Po, ndihej shumë i frikësuar pas Gërdecit. Madje, duke qenë se e kisha shumë shok, i kisha këshilluar që të ikte, të largohej. Nuk mund të rrinte më këtu”.

-Dilte për gjah?

“Posi jo. Dilja edhe unë shpeshherë me të”.

-Shkonte vetëm?

“Jo, vetëm jo. Vetëm absolutisht jo. Merrte rojën që kishte. Dilnim katër-pesë vetë me të. Por vetëm kurrë”!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›