Harruan ti ofrojnë mbrojtje

TIRANË - Dëshmitari kyç i prokurorisë në procesin penal të hapur pas tragjedisë së Gërdecit dhe denoncimit të aferës së fishekëve nuk ishte marrë në mbrojtje nga strukturat e specializuara. Tashmë, pas vdekjes së tij, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme nxitojnë të heqin përgjegjësinë, duke harruar një detaj të vogël, por tepër të rëndësishëm. Sipas ekspertëve të fushës, një dëshmitar i tillë edhe pse nuk mund të ketë kërkuar mbrojtje, minimalisht organet hetimore, pasi kanë vlerësuar të dhënat që ai ofroi, në bazë të ligjit duhet t’i komunikonin se përfiton të drejtën e mbrojtjes. Por, mesa duket, në këtë rast si Ministria e Brendshme, ashtu edhe organi qendror i akuzës “kanë harruar” të pyesin Kosta Trebickën nëse dëshiron të merret në mbrojtje, edhe pse ai herë pas here ka deklaruar se ndihej i rrezikuar. Burime pranë Ministrisë së Brendshme tanë se nuk u ishte kërkuar nga prokuroria marrja në mbrojtje e Kosta Trebickës, fakt i cili u pranua edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Dy institucionet që duhet të bashkëpunojnë mes tyre, të paktën në rastet e marrjes në mbrojtje të personave që mund t’u rrezikohet jeta për shkak të deklaratave të dhëna në organin e akuzës, në rastin e vdekjes së Kosta Trebickës mundohen të fajësojnë njëri-tjetrin. “Marrja në mbrojtje e dëshmitarëve apo e bashkëpunëtorëve të drejtësisë bëhet vetëm me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme. Askush nga prokuroria nuk na dërgoi kërkesë për mbrojtjen e Kosta Trebickës”, thanë burimet nga Ministria e Brendshme. Ky fakt u pranua zyrtarisht edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila deklaroi zyrtarisht se organi i akuzës nuk ka disponuar informacione që vinin në rrezik jetën e Kosta Trebicka. Duke shkuar më tej, Prokuroria e Përgjithshme thotë se “as vetë Kosta Trebicka, i cili ka qenë dëshmitar në procedimin penal që zhvillohet në lidhje me ngjarjen e datës 15 mars 2008, në fshatin Gërdec, nuk ka parashtruar para këtij organi shqetësime për vënien në rrezik të jetës së tij”. Por përkundër këtyre deklaratave të dy institucioneve zyrtare, që minimalisht duhet të kujdeseshin për dëshmitarin kyç të një afere, që shkaktoi jo pak debate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dalin në pah fakte dhe të dhëna që tregojnë se Kosta Trebicka ndihej i frikësuar, pasi kishte marrë kërcënime. Ai kishte dëshmuar edhe më parë frikën që ndjente kohët e fundit pas publikimit të dëshmive për aferën korruptive të armëve. Në një prononcim për gazetën “New York Times”, Kosta Trebicka kishte deklaruar se ndihej i kërcënuar për jetën. Një fakt i tillë u pohua edhe nga të afërm, fqinjë apo dhe miq të të ndjerit, të cilët gjatë deklaratave publike kanë deklaruar se kohët e fundit ai ndihej shumë i frikësuar. Por pavarësisht këtyre të dhënave, institucionet që kishin si detyrë të mbronin dëshmitarin kryesor të njërës prej aferave më të mëdha që ka përfshirë jo vetëm Shqipërinë, për asnjë moment nuk kanë kryer asnjë veprim në këtë drejtim. Prokuroria dhe Ministria e Brendshme duhet të marrin në mbrojtje një bashkëpunëtor të drejtësisë, i cili do të zbërthente mekanizmin e vjedhjes së disa automjeteve, por ato as që e “vunë ujin në zjarr” për një dëshmitar që do të zbërthente mekanizmin e një afere ndërkombëtare armësh.
Dyshimi
Çfarë provash u dha hetuesve Trebicka?
Zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme tha se “shtetasi Kosta Trebicka ka qenë dëshmitar në procedimin penal që zhvillohet në lidhje me ngjarjen e datës 15 mars 2008, në fshatin Gërdec të rrethit Tiranë”. Lidhur me këtë fakt, prokuroria pranon se, veç dëshmisë që Trebicka ka dhënë mbi aferën e municioneve, ka paraqitur në prokurori dhe materiale të tjera që do t’i shërbenin hetimit. “Deklarimet e tij për këtë proces janë administruar nga grupi i prokurorëve të çështjes së Gërdecit, qysh në fillimet e këtij procesi, së bashku me regjistrimet e bisedave të tij me persona që paraqesin interes për këtë ngjarje”. Por kush janë këta persona që paraqesin interes për hetimin? Zyrtarisht, Kosta Trebicka ka bërë publike vetëm bisedat e regjistruara mes tij dhe pronarit të kompanisë “AEY”, Efraim Diveroli. Po personat e tjerë kush janë? Trebicka ka deklaruar se pas ndërprerjes së kontratës së paketimit të fishekëve, ka zhvilluar edhe disa takime të tjera.