E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama i shqetësuar për krizën në eurozonë

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka theksuar se është thellësisht i shqetësuar rreth krizës së vazhdueshme të borxheve në eurozonë, duke thënë se kjo krizë është pasojë e mungesës së vullnetit politik.

Obama, duke folur gjatë një vizite në Australi, ka thënë se kriza do të vazhdojë të përhapet derisa liderët e eurozonës nuk kanë një plan konkret për t’u përballur me problemet e tyre të borxheve.

"Me respektin që kam për Evropën, jam thellësisht i shqetësuar, kam qenë shumë i shqetësuar, dyshoj se do të jem thellësisht i shqetësuar edhe nesër, edhe javën e ardhshme. Derisa nuk kemi një plan konkret dhe strukturë që dërgon sinjal të qartë në tregjet evropiane se Evropa po qëndron prapa euros dhe do të bëjë të gjitha që kërkohen, do të vazhdojmë të shohim trazira të tilla të tregjeve”, ka thënë Obama.

Obama ka shkuar për vizitë në Australi, e cila synon nxitjen e lidhjeve strategjike dhe ekonomike mes dy vendeve aleate.

Obama pritet të mbajë bisedime në kryeqytetin Kanberra me kryeministren, Julia Gillard dhe do t’i drejtohet parlamentit australian të enjten.

Agjencia e lajmeve, Associated Press raporton se Obama pritet të njoftojë se Shtetet e Bashkuara do të zgjerojnë praninë ushtarake në Australi.

Këto lëvizje duket se kanë si qëllim luftën kundër ndikimit kinez në rritje në rajonin e Paqësorit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›