E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama kërkon masa të shtuara të sigurisë

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka urdhëruar rivlerësimin e listave të personave të cilëve nuk ju lejohet që të fluturojnë në SHBA, pas sulmit të dështuar terrorist në ditën e Kërshëndellave dhe kërkoi të dijë se si një nigerian arriti të hip në aeroplanin që fluturonte për në Detroit, me një lëndë shpërthyese të lidhur në trup.

Baza e të dhënave, e cila shfrytëzohet nga agjencitë amerikane të sigurisë, tani i është nënshtruar një rivlerësimi, pasi që u kuptua se personi, i cili tentoi të hedh në ajër aeroplanin me 290 udhëtarë, i cili ka fluturuar nga Amsterdami për në Detroit, ka qenë në njërën nga këto lista për vëzhgim.

“Ekziston një seri e të dhënave, lista me emrat e njerëzve, të cilët paraqesin brengë për disa agjenci të qeverisë. Ne dëshirojmë të sigurohemi se shkëmbimi i informatave do të vazhdojë”, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs.

I dyshuari Umar Abdulmutallab është përfshirë në listën e rreth 550 mijë personave të dyshuar, pasi që i ati i tij vizitoi muajin e kaluar ambasadën amerikane në Abuje, Nigeri, për të njoftuar zyrtarët amerikanë se është i brengosur për shkak të bindjeve religjioze të birit të tij.

“Presidenti ka kërkuar një rivlerësim, për t’u siguruar që informatat të shkojnë aty ku duhet, te njerëzit që marrin vendime”, tha Gibbs.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›