Obama kërkon vazhdim të unitetit kombëtar

Presidenti amerikan, Barak Obama, u ka bërë thirrje ligjvënësve, që të vazhdojnë në frymën e unitetit kombëtar, pas vrasjes së Osama bin Ladenit.
Në një darkë për liderët e Kongresit, mbrëmë vonë, presidenti Obama tha se vendi po e përjeton bashkimin, që kishte ndodhur pas sulmeve terroriste më 11 shtator 2001.
Nga ana tjetër, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ka kërkuar nga shtetet, që të intensifikojnë përpjekjet për ta luftuar terrorizmin dhe i ka përkujtuar “sulmet e urryera terroriste” të kryera nga rrjeti Al-Kaida, në gjithë botën.
Kina tha se vrasja e Bin Ladenit është “ngjarje madhore” në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.