Obama kryeson në anketa, Romney ndryshon qëndrimin për “Obamacare”

Në Shtetet e Bashkuara, anketat më të fundit tregojnë se të paktën për momentin, presidenti Barack Obama kryeson me pak diferencë në garën me rivalin e tij Mitt Romney, ndërsa të dy kandidatët presidencialë hyjnë në 8-javëshin e fundit të fushatës presidenciale.
Dy anketues të rëndësishëm, firma Gallup dhe Rasmussen report, tregojnë se presidenti Obama udhëheq garën: sipas Gallup, shifrat janë 49 për qind për Obaman dhe 44 për Romneyn, ndërsa për firmën Rasmussen, ky raport është 50 me 45. Kandidatët po e përqendrojnë tani fushatën në shtetet kyçe, ku mbështetja për ta është thuajse e njëjtë.
Në kongresin e Republikanëve, Mitt Romney e sulmoi ashpër politikën shëndetësore të Obamas dhe vlerat e tij në sondazhe ranë. Tani ai po tregohet më i arsyeshëm: disa elemente të reformës së Obamas ai madje i mbështet.
"Unë në asnjë mënyrë nuk do t'i anuloj të gjitha pjesët e reformës shëndetësore. Aty ka disa gjëra që më pëlqejnë dhe do t'i mbaj", theksoi Romney.