Maqedoni, hyn në fuqi rregullorja e re e Parlamentit
Rregullorja e re e Parlamentit e miratuar javën e kaluar nga partitë e maxhorancës VMRO-DPMNE dhe BDI sot ka hyrë zyrtarisht në fuqi.
Kjo bëhet e ditur nga shërbimi për informim i Parlamentit të Maqedonisë, ku më tej shpjegohet se qëllimi i Rregullores së re ka për qëllim forcimin e mëvetësisë dhe efikasitetit të institucionit legjislativ.
Dispozitat e Rregullores së re të Parlamentit e përcaktojnë punën e organeve të Parlamentit, forcojnë cilësinë e punës së trupave punuese në procesin e miratimit të ligjeve.
Rregullorja e re nuk parasheh përdorimin e gjërë të gjuhës shqipe. Deputetët shqiptarë kanë të drejtë të përdorin gjuhën shqipe gjatë fjalimeve të tyre në seancat parlamentare si dhe në komisione parlamentare, por nuk lejohet përdorimi i gjuhës shqipe nëse komisionet udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të këtyre komisioneve parlamentare, gjithashtu ngushtohet hapësira e përdorimit të gjuhës shqipe edhe në planin e dokumentacionit dhe mbishkrimeve zyrtare në institucionin legjislativ.
Me Rregulloren e re, mundësohet që në punimet e komisioneve të marrin pjesë ekspertë të jashtëm, për të siguruar kompetencë më të madhe profesionale gjatë miratimit të ligjeve. Gjithashtu sigurohet edhe kyçja më e gjërë e opinionit në punën e institucionit legjislativ.
Sipas Rregullores së re një nga nënkryetarët e Parlamentit do të jetë nga radhët e opozitës që mundëson përfshirjen më të madhe dhe më aktive të opozitës në planifikimin e aktiviteteve parlamentare.
Rregullorja e re ka qenë rezultat edhe i punës disavjeçare të ekspertëve vendor dhe të huaj, organizatave ndërkombëtare joqeveritare, NDI, por kjo mbetet edhe një kriter për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. (INA)